English

Kapet Bashkim Qefalia, autori i vrasjes te Dogana, pranoi krimin

Tiranë, 29 korrik, NOA - Ka rënë në prangat e policisë Bashkim Qefalia, i shpalluri në kërkim si dyshuar si autor për vrasjen që ndodhi tre ditë më parë tek Dogana e Tiranës, ku mbeti i vrarë Artan Allushi dhe u plagosën Kujtim e Nertil Allushi.

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, Bashkim Qefalia u kap në frangancë, në një banesë e tij në periferi të Tiranës, ndërsa kishte tre ditë që po kërkohej me ngulm nga forcat e policisë, të cilat në fakt kishin caktuar edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh për atë që ndihmonte mbi kapjen e tij.

Bëhet e ditur ndër të tjera se autori i dyshuar kryesor i krimit që tronditi kryeqytetit, ku një 22-vjeçar mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën, ka pranuar autorësinë e tij para forcave të policisë.

Ndërkaq, dje policia arriti të arrestonte bashkëpunëtorin e Qefalisë, Isa Lusha,

i cili e ndihmoi atë duke e strehuar për t'i shpëtuar kapjes prej saj.

Për shkakun e vrasjen në fjalë, deri tani policia ka dhënë variantin e ngacmimit të një vajze. Sipas saj, autori i dyshuar ngacmonte kushërirën e të vrarit dhe pas sherrit mes palëve ndodhi dhe krimi.

Ngjarja ndodhi të dielën në rrugën e Durrësit, në afërsi të Doganës së Tiranës, kur është qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme 25-vjeçari Artan Allushi, 25 vjeç.

Në ngjarje mbetën të plagosur edhe vëllai i të ndjerit, Nertil Allushi, 22 vjeç dhe xhaxhai i tyre Kujtim Allushi, 50 vjeç. Grupi hetimor, identifikoi si autor të kësaj ngjarjeje, 38-vjeçarin Bashkim Jusuf Qefalia, lindur dhe banues në Babrru, Tiranë.

Paraprakisht dyshohet se viktima dhe dy personat e plagosur, kanë debatuar fillimisht me autorin e dyshuar ku më pas janë konfliktuar me këtë të fundit, për motive të dobëta.

Policia tha se për autorin e dyshuar, materialet e përpiluara do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese" dhe të "Armëmbajtjes pa leje".

n.e/NOA

KOMENTE