Tiranë, 29 korrik, NOA - Mbërritja e emigrantëve për pushimet e stinës së verës në vendin tonë ka shkaktuar një rritje të shtuar të kërkesës për pajisje me pasaporta biometrike.
Vetëm në qytetin e Korçës, lidhur me një fakt të tillë, bëhet e ditur se janë të paktën 300 kërkesa për aplikim, të cilat drejtohen çdo ditë nga studentë që kanë ardhur me pushime dhe emigrantë që jetojnë në shtetin fqinj. Eshtë shtuar shitja e kuponave për pasaporta biometrike, në krahasim me kuponat për letërnjoftim elektronik, me një mesatare prej rreth 2 mijë kupona në ditë.
Ndërsa në një njoftim të pak ditëve më parë nga Posta Shqiptare, bëhej me dijeni se ky proces ka arritur në mbi 1 milionë e 300 mijë kuponë të shitur për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 55 mijë për pasaportat biometrike.
"Punonjësit e shërbimit postar vazhdojnë të jenë vigjilent dhe kanë mundur të jenë pranë çdo qytetari duke kryer detyrën e tyre si punonjës të një kompanie shërbimi. Në këtë mënyrë në të gjithë Shqipërinë janë shitur mbi 1 milionë e 300 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 55 mijë për pasaportat biometrike në të 551 zyrat postare të cilat mbulojnë të 470 njësitë e aplikimeve", thuhej në njoftimin përkatës së Postës Shqiptare.
"Punonjësit e shërbimit postar janë në gatishmëri në shërbimin dy turnesh çdo ditë të javës për të gjithë qytetarët e interesuar. Zyrat postare kanë qenë të hapura çdo ditë të javës nga e hëna në të shtunë ora 08:00-20:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në orën 15:00", kanë shtuar burimet e Postës.
n.e/NOA