English

Qeveria miraton Strategjinë e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Tiranë, 29 korrik NOA - Qeveria miratoi sot Strategjinë e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kryeministri, Sali Berisha, duke paraqitur për shqyrtim dhe miratim Strategjinë, e cilësoi atë një dokument shumë të rëndësishëm për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, duke sjellë edhe një dimension të ri, atë të inovacionit në Shqipëri.

 "Me Strategjinë e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, u shpreh Kryeministri - ne përpiqemi t'u japim përgjigjen më të mirë nevojave jetike të vendit për kërkimet shkencore, për kontraktimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Një dimension i ri është inovacioni, mbi bazën e të cilit qeveria do të financojë projektet e sipërmarrjeve të vogla e të mesme private, që angazhohen në kërkimin shkencor, në aplikimin dhe adaptimin e teknologjive të reja" tha Berisha.Â

Kryeministri Berisha bëri të ditur se në mbështetje dhe përmbushje të objektivave të kësaj Strategjie, do të ngrihet fondi për shkencën, teknologjinë dhe informacionin, që do të financojë projektet, të përzgjedhura nga një bord, i përbërë nga zyrtarë, akademikë dhe përfaqësues të biznesit.

"Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të nxitur me të gjitha mënyrat ecjen e vendit dhe kombit me shpejtësi drejt moshës dixhitale, si rruga më e sigurt për shkëputjen nga prapambetja shekullore që kemi trashëguar, për kapjen e kohës së humbur dhe për një Shqipëri moderne që ecën me ritmin e kohës. Ne jemi një komb i ri dhe disponojmë potenciale shumë të mëdha njerëzore që mund të angazhohen me sukses të madh në këtë drejtim." u shpreh kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE