English

Qeveria: Nuk duhet injoruar as burimi më i vogël i ujit, për të ndërtuar një burim energjie

Tiranë, 29 korrik NOA - Burimet ujore do të shfrytëzohen për burime energjie.

Këtë iniciativë tenton të marrë qeveria, ku sipas kryeministri Sali Berisha, qeveria do të nxisë me stimuj konkretë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Kryeministri, Sali Berisha ritheksoi sot, në mbledhjen e këshillit të Ministrave çështjen e hidrocentraleve të vogla.

Sipas tij, Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i pasur me burime ujore dhe për këtë arsye nuk duhet injoruar as burimi më i vogël, për të ndërtuar një burim energjie.

Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se qeveria duhet të nxisë me stimuj konkretë, ndërtimin e një numri sa më të madh hidrocentralesh të vogla.

"Në këtë vend malor, që rrafshinë ka të pakët dhe ujërat të bollshme, ne si qeveri duhet të nxisim me stimuj konkret ndërtimin mundësisht të mijëra hidrocentrale të vogla, se të mesmet dhe të mëdhatë ndërtohen, këto të voglat janë më të mundshme" tha Berisha.

Kryeministri tha se duhet të shqyrtohen të gjitha sistemet e vaditjes ekzistuese dhe ato që do të ngrihen, në mënyrë që të funksionojnë me dy qëllime.

"Tre javë më parë një sipërmarrës paraqiti në KRRTR  projektin e tij për HEC-et Lura 1, Lura 2, Lura 3, që të tria këto ndërtoheshin mbi sistemin ekzistues të vaditjes. Funksionon për 9 muaj, nuk funksionon për tre muaj, por sipërmarrësi bënte dhe një sistemim të plotë të kanaleve për të siguruar burimin e ujit dhe eficencën e tij.

Të gjitha burimet ku janë duhet të konsiderohen për HEC të vogla, natyrisht në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë jo aty ku ndërtohet një Hidrocentral i madh apo i mesëm, sepse nuk është e arsyeshme që të bllokohet ndërtimi i një HEC të madh ose të mesëm nga një HEC i vogël" deklaroi më tej Berisha.

Duke kërkuar stimuj të tjerë, në ndihmë të ndërtuesve të hidrocentraleve të vogla, kryeministri tha se shteti duhet të garantojë lidhjen e HEC-it me rrjetin lokal dhe kombëtar të ujërave.

"Një nga shpenzimet e ndjeshme për një HEC të vogël është lidhja e tij me rrjetin lokal dhe kombëtar. Këtë duhet ta marrim ne përsipër. Duhet që shteti tu garantojë lidhjet. Duhet parë dhe kostoja e prodhimit me koston e lidhjes por në tërësi parimi duhet të jetë që shteti që do ti lidhë ata me rrymën e zonës apo të vendit" tha kryeministri.

Ndër të tjera, kryeministri kërkoi që të shihet me përparësi sistemi i kreditimit ndaj këtyre ndërtuesve, duke i konsideruar ata sipërmarrës të vegjël.

Kryeministri siguroi se edhe ujësjellësit do të ndërtohen, duke studiuar mundësitë që burimet të shfrytëzohen për dy qëllime.

k.k/NOA

KOMENTE