English

Vijon operacioni "Era e Jugut", asgjësohen 98 rrënjë bimë kanabis

Tepelenë, 29 korrik, NOA - Në vijim të operacionit të koduar "Era e Jugut", për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike, gjatë një kontrolli të ushtruar në shtratin e lumit Bënçë të Tepelenës, është evidentuar një parcelë të hapur rishtas të kultivuar me bimë narkotike e llojit kanabis sativa.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, parcela në fjalë ndodhej në shtratin e lumit Bënçë, në afërsi të fshatit Bënçë, në një zonë të pyllëzuar dhe ishte hapur rishtas për të kultivuar bimë kanabis sativa.

Grupi hetimor ka konstatuar se në këtë parcelë ishin të mbjella 98 rrënjë bimë të dyshuara si kanabis sativa, të cilat varionin nga 70 centimetra deri në 90 centimetra të larta .

Një pjesë e këtyre bimëve janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe pjesa tjetër është asgjësuar në vend me anë të djegies.

Ndërkaq, nga ana e policisë janë shoqëruar 3 persona nga Tepelena si autorë të dyshuar, por nga veprimet hetimore nuk ka rezultuar se ata kishin lidhje apo djeni për këtë vepër penale dhe për këtë arsye janë lënë të lirë.

Po vazhdon puna për evidentimin e autorit , dokumentimin me prova ligjore dhe më pas kapjen dhe çuarjen para drejtësisë për veprën penale të "Kultivimit të bimëve narkotike", parashikuar nga neni 284 /1 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE