Lezhë, 30 korrik NOA Fotot updated - "Meqenëse ai është në panik dhe në dëshpërim të madh, tek e fundit, le t'ia falim edhe kësaj here, sepse nuk di se ç'bën. "Falja Zot se nuk di se ç'bën", kaq mund të themi për të".
Kështu është shprehur kryeministri, Sali Berisha për kreun e PS-së Edi Rama, gjatë inaugurimit të rrugës Tale-Lezhë.
Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e kësaj rruge të cilën e konsideroi rrugën shumë të rëndësishme në rrjetin infrastrukturor në vend, i cili synon ta kthejë kombin drejt detit.
Pasi garantoi banorët e zonës se 4 vitet e ardhëm do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të ujit të pijshëm 24 orë, kryeministri nuk nguroi të fliste edhe për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
"Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë, ka nevojë për vepra, ka nevojë për punë, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë për investime. Kjo është ajo për të cilën zotohemi ne. Ndaj edhe unë ju garantoj se në komunën tuaj, do të mbështesim dhe financojmë çdo projekt tuajin. Por, nga ana tjetër, jemi dëshmitar edhe të ndryshimeve të mëdha që ka pësuar kjo komunë gjatë 3 viteve të fundit. Edhe më të mëdha do të jenë ndryshimet gjatë viteve që vijnë. Ne jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t'u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit" tha m tej Berisha.
"Sa për pjesën tjetër, ajo që mund të them për ta, është: "shih e shkruaj". Ajo që ndodhi dje me ta, për shumë të rinj që patën fatin e madh e të mirë që të mos përjetonin asnjë ditë në diktaturë, mund të kalojë si një gjë e parëndësishme. Por për ne, që kemi përjetuar për dekada diktaturën, ai ishte rikthimi i të shkuarës më të zezë të historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, me një emër të ri. Pas 18 vitesh, u mblodhën në errësirë, në terr informative dhe, nuk lejuan kamerat të marrin qoftë edhe një pamje të vetme e t'u tregonte shqiptarëve se çfarë po ndodhte.. Errësira është kriteri i tij, terri është kriteri i vërtetë i tij. Ai ishte një atavizëm i atij që ka frikë nga vetja e tij, ka frikë nga rrezja e dritës. Pas 9 orë takimi të fshehtë, sikur të ishte plenium i Komitetit Qendror, zgjodhi për fytyrë të re për të komunikuar me publikun, ish Ministrin e fundit të Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçin" deklaroi Berisha.
Kryeministri u tha m tej banorëve se qeveria nuk merret me faktin se kush vjen e kush rri në krye të PS-s, nuk merret me faktin nëse iu pre apo jo mandati ndokujt, sepse ato janë probleme të statutit të tyre.
k.k/NOA - Komentoni lajmin e ditës në fund të shkrimit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit