Tiranë, 30 korrik NOA - Hedhja në "treg" e mundësisë së martesave gay, një ditë më parë nga kryeministri Berisha, shihet nga organizatat jofitimprurëse më së paku si një lajthitje e Berishës dhe më së shumti si një tallje ose mashtrim.
Drejtuesit e OJF-ve që janë marrë pikërisht me projektligjin që Berisha dje tha se ka mbërritur në Parlament, kanë pohuar se në draft nuk gjendet asnjë rresht ku të kërkohet me ligj, pranimi i martesave homoseksuale.
"Ne jemi iniciatorë të projektligjit kundër diskriminimit të minoriteteve të caktuara. Në draftin që ne kemi paraqitur dhe që i plotë do t'i shkojë për miratim Parlamentit, nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi ndërmend të kërkojmë që të ligjërohen martesat brenda gjinisë", deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA, Elsa Ballauri, kryetare e Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Duke dashur të theksojë këtë fakt, zonja Ballauri e cila gjendet për momentin jashtë Shqipërisë, tha se "ne e konsiderojmë të papërshtatshme për Shqipërinë që të ketë martesa të homoseksualëve".
***
Reagime sakaq kanë ardhur nga komunitetet fetare. Selim Muça, kryetar i Bashkësisë Islame - Komuniteti Mysliman Shqiptar, tha se një iniciativë e tillë, është e papranueshme dhe ajo nuk duhet të kalojë për ligjërim në Parlament.
"Kurani e ndalon në mënyrë kategorike mundësinë e martesave homoseksuale, jo më kot janë krijuar femra dhe mashkulli, për t'u bashkuar mes tyre dhe për të siguruar vazhdimësinë e njerëzimit", ka pohuar Selim Muça.
Me të njëjtin argument kanë dalë edhe drejtues të komunitetit katolik dhe ortodoks në vendin tonë, duke dënuar mundësinë e ligjërimit të martesave gay.
***
Këto reagime të forta erdhën pasi dje, kryeministri Sali berisha, duke folur në Komitetin Ndërministror për Integrimin i cili miratoi plan veprimin për dialogun e liberalizimit të vizave, tha se një ligj tjetër shumë i rëndësishëm është ai kundër diskriminimit.
Kryeministri pohoi se ky ligj është përgatitur dhe ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara.
Berisha tha se mbetet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato.
Kurse dha mendimin personal se "pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm".
Këtu kryeministri "spekuloi", kur tha se "ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre" dhe shtoi: "Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane".
Ndaj Berisha duke lajmëruar se ky ligj është në Parlament theksoi se ai "duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi".
Shpotitë e Berishës nuk kishin të sosur, kur me një gjuhë therëse paçka se të hollë dhe "qëndisur" kujdesshëm, atakoi persona publikë, kur tha: "Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar ti respektoj".
Dhe në përfundim të argumentit që hodhi, Berisha, tha: "Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Më mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin".
/a.k/e.n/NOA/