English

Denoncimi: Babai më mbylli në Psikiatri që të mos falem si mysliman

Tiranë, 30 Korrik NOA - Një denoncim i rrallë ka mbërritur në Gjykatën e Rrethit Tiranë por drama bëhet e dhimbshme kur mësohet se një qytetari i është shkatërruar jeta për hir të ndalimit të ushtrimit të fesë.

Daut Laze, 32 vjeçar nga Tirana, ndonëse në gjendje optimale mendore, është mbyllur në spitalin Psikiatrik (nr 5) në QSUT, nga vetë i ati i tij, sipas kallëzimit penal, pas ushtrimit të presionit të pasuksesshëm nga babai, që të mos falet sikundër kërkohet nga feja Islame.

Viktimë e kësaj dhune psikologjike, Daut Laze, baba i dy fëmijëve, është detyruar të qëndrojë gjatë i mbyllur në psikiatri.

Por sikundër pohon, nuk vuan nga kurrfarë sëmundjeje mendore, duke theksuar se kjo ishte një dhuratë aspak e këndshme e të atit.

Për më tepër, babai denoncohet se ka arritur të marrë me falsifikime një raport mjekësor që e shpall të sëmurë mendor të birin dhe sipas 32 vjeçarit, kjo është bërë me një qëllim: Ta ndalojë që të respektojë ritet myslimane.

Kallëzimin penal e ka përgatitur avokati mbrojtës i Daut Lazes, Idajet Beqiri. Sikundër shihni dhe faksimilen në foton qendrore, denoncohen dhe mjekët për tortura.

Avokati Idajet Beqiri, pohon se kallëzimi padit penalisht Hysen Lazen, i ati i Dautit, si dhe mjekun e Spitalit Neuropsikiatrik Tiranë, por edhe drejtues të Komisariatit të Policisë Nr.6, Kombinat, Tirane, "pasi në mënyrë të përsëritur, në 3 raste, kanë ushtruar torturë kundër Daut Lazes, e kanë mjekuar atë në mënyrë të pakujdesshme si dhe kanë shpërdoruar detyrën, duke konsumuar disa vepra penale".

Më konkretisht, në kallëzim evidentohet se 33-vjeçari Daut Laze, i martuar dhe me dy fëmijë, pa precedent penal, për një periudhe kohore 5 vjeçare ka qene në emigracion, në Itali dhe në Belgjikë.

Në vitin 2002, pas njohjes me boten e qytetëruar, ka studiuar Kur'an-in, dhe ka ushtruar e respektuar të gjitha ritet e fesë Muslimane, duke filluar nga falja 5 herë në dite, në mbajtjen e Ramazanit, mospërdorimin e alkoolit dhe substancave të tjera të konsideruara "haram" (të ndaluara) etj.

"Duke mos arritur dot t'i ndalojë besimin fetar të birit, Hysen Laze me ndihmën e mjekut të Spitalit Psikiatrik Tiranë, dr.Lefteri, ka siguruar një raport mjekësor sikur djali i tij Daut Laze, ishte i sëmurë psikik. Për nxjerrjen e këtij raporti i janë paguar edhe shumë të holla mjekut, pasi Laze nuk ka qenë te mjeku për vizitë asnjëherë dhe nuk e di mënyrën, se si është plotësuar raporti mjekësor", - vijon kallëzimi.

"Pas plotësimit të raportit mjekësor, në vitin 2007, përmes Komisariatit të Policisë Kombinat (inspektori i policisë që ka bërë veprimin në atë kohë, quhej Qani) është marrë me dhunë kallëzuesi Daut Laze dhe është mbyllur në Spitalin Psikiatrik Tiranë. Pasi e kanë bombarduar me ilaçe të kota, e kanë nxjerrë nga spitali. Pas 3 muajsh, me qenë se Daut Laze nuk hoqi dorë nga besimi në fenë islame, është marrë përsëri nga i njëjti komisariat policie dhe është mbyllur përsëri në Spitalin Psikiatrik Tiranë.

Kundërshtimeve dhe revoltës së tij ndaj këtij akti barbar, Hysen Laze, mjeku Lefter dhe policët që e torturonin duke e mbyllur me dhunë në spital, i përgjigjeshin me këto fjalë. "Ty s'të beson më njeri që nuk je i sëmurë psikik, ndaj hiq dorë nga feja islame!", sqarohej më tej në kallëzimin penal".

Pas daljes nga spitali dhe mjekimit në Siri, Laze Dauti është kthyer në Shqipëri, ku ka nisur punë në ndërtim, në shoqërinë e ndërtimit "Harmonia". Mësohet se më datën 23 korrik të këtij viti, rreth orës 11:00 Daut Laze, është thirrur përsëri në Komisariatin e Policisë Kombinat.

"Ke bërë sherr me babanë dhe ke dashur të vrasësh fëmijët", ka qenë deklarimi i policëve të Komisariatit numër 6. Një ditë më pas, më 24 Korrik, Laze ai është shtruar sërish me forcë në spitalin Psikiatrik Tiranë.

/a.k/b.a/NOA/

KOMENTE