Tiranë, 30 korrik NOA Update - Tek Avokati i Popullit, kanë paraqitur ankesë banorë të Rrugës " Dëshmorët e 4 Shkurtit" në ish-Bllok, përfshirë dhe një diplomat i trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë.
Me anë të ankesës, ata parashtrojnë shqetësimin dhe pretendimin e tyre lidhur me mosndërhyrjen e strukturave përgjegjëse pranë Bashkisë Tiranë, sa i përket zhurmave të shkaktuara nga ushtrimi i aktivitetit të lokaleve në këtë zonë, sidomos gjatë natës.
Kështu, pas diplomatit francez i cili kishte konstatuar mungesën e sinjalistikave në rrugë, një tjetër diplomat i trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ka shfaqur shqetësim për kryeqytetin kësaj herë për zhurmat e shkaktuara nga lokalet në zonën e ish-bllokut në Tiranë, gjatë thuajse gjithë natës.
Sipas Institucionit të Avokatit të Popullit ankesa e ardhur pak ditë më parë, vjen pak pas inspektimit për të konstatuar mungesën e sinjalistikave në rrugë të cilat janë edhe burim aksidentesh dhe paralelisht ka hetuar një tjetër ankesë të një trupi diplomatik të akredituar në Tiranë.
Konkretisht, ankuesit shprehen se ushtrimi i aktivitetit të bareve deri në orët e vona të natës, e sidomos në fundjavë, ku volumi i muzikës ngrihet jashtë çdo norme, bën të pamundur qëndrimin normal në apartamentet respektive, për shkak të ndotjes së lartë akustike.
Gjatë inspektimit të zhvilluar personalisht nga Avokati i Popullit dhe njërit prej ekspertëve të institucionit, në orën 24.00'' të datës 28.07.2009, u konstatua se në baret "Buda", "Baroque", etj., muzika ishte e ngritur në nivele shqetësuese si për kalimtarët e sidomos për banorët e apartamenteve sipër dhe rrotull këtyre bareve.
Gjithashtu u konstatua se në një distancë fare të shkurtër nga këto bare qëndronte e parkuar makina me targë TR 8109 R, me dy inspektorë të Policisë Bashkiake, të cilët mund të ndërhynin për normalizimin e kësaj situate.
Në të tilla kushte, ankuesit shprehen se duke mos gjetur një zgjidhje ligjore të kësaj çështje, kanë kërkuar ndihmën e Insitucionit të Avokatit të Popullit me qëllim ndërmjetësimin pranë jush për gjetjen e një zgjidhje të këtij problemi.
"Për nevojat e shqyrtimit të mëtejshëm të kësaj ankese nga institucioni i Avokatit të Popullit, lutemi të na përcillni me një informacion të hollësishëm, nëse jeni vënë në dijeni të kësaj situate të shkaktuar nga ushtrimi i aktivitetit të lokaleve në këtë zonë, nëse është ndërmarrë ndonjë masë ligjore nga ana juaj për rregullimin e kësaj situate".
"Gjithashtu kërkojmë të informohemi së pari nëse këto biznese janë të pajisura me lejen përkatëse për ushtrimin 24 orë të aktivitetit, si dhe cili është roli dhe detyra e Policisë Bashkiake në këto raste" bëri të ditur institucioni i Avokatit të Popullit"", thuhet në përfundim të rekomandimit që Avokati i Popullit i ka dërguar sot, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama duke i kërkuar që të marrë menjëherë masat.
k.k/NOA - Komentoni lajmin e ditës në fund të shkrimit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit
Lajm tjetër i ditës që lidhet me argumentin:
Avokati i Popullit rekomandon Drejtorinë e Rrugëve: Ja akset pa sinjalistika