English

Emërtimet e reja të pasaportave në Shkup po kthejnë shqiptarët në maqedonas

Shkup, 30 korrik NOA-Shqiptarët vazhdojnë të pajisen me pasaportat e reja ku ende nuk është tërhequr nocioni "maqedonas" i shkruar në grafën e shtetësisë, ku më parë figuronte nocioni "Republika e Maqedonisë".

Partitë politike deri tani kanë heshur për këta skenarë të rrezikshëm që sipas analistëve paraqet agresion ndaj identitetit shqiptar.

Në sportelet e Ministrisë së Brendshme qindra qytetarë shqiptarë po vazhdojnë të pajisen me pasaportat e reja biometrike, të cilët automatikisht i evidentojnë ata si maqedonas në grafën e pasaportën të përcaktuar për përkatësinë kombëtare dhe shtetësinë.

Por ata që po pajiseshin me pasaportat e reja theksojnë se nuk janë njohur me këtë, pasi që më tepër janë të interesuar që të tërheqin pasaportën e re, pas shumë peripecive dhe pritjeve të gjata pranë sporteve policore.

Në pjesën e pasaportës ku më parë ishte shënuar shtetësia "Republika e Maqedonisë", tani figuron "Makedonsko/Macedonian".

Ky rrezik që konsiston edhe në ndryshimin e përkatësisë kombëtare të shqiptarëve, sidomos jashtë shtetit, shumë pak është zbuluar nga qytetarët shqiptarë.

Deri tani, nuk është arritur që të rikthehet emërtimi "Republika e Maqedonisë" në tri gjuhët në grafën e shtetësisë së pasaportës.

BDI është përfshirë nga heshtja lidhur me imponimin e kësaj mase diskriminuese dhe të rrezikshme për shqiptarët.

Nga ana tjetër, PDSH ka bërë të ditur se do të bëjë kërkesë që të shmanget emërtimi "maqedonas" në pasaportat e reja, të cilat i shpërndahen shqiptarëve, ndërsa në vend të këtij emërtimi të shkruhet "Republika e Maqedonisë", ashtu siç ka qenë më parë. Analistët theksojnë se kjo strategji është e qartë se evidentimi i përkatësisë "maqedonas" në grafën e shtetësisë së pasaportave" është një rrezik i madh për shqiptarët dhe përbën një agresion të çmendur ndaj identitetit shqiptar, njësoj sikur e bëri Todor Zhivkovi me turqit e Bullgarisë dhe Brezhnjevi në Bashkimin sovjetik në vitet 80 të totalitarizmit komunist, kur nuk njihte përkatësitë etnike të turqëve dhe komuniteteve tjera pakicë.

m.i/NOA

Â

Â

KOMENTE