Sa më shumë kundërshtarë që mund të vërej se shfaqen, aq më shumë bindem se ai bashkim do të ndodhë një ditë. Do të ndodhë për shkak se është e natyrshme të ndodhë. Do të ndodhë sepse e kundërta e tij është e panatyrshme
Basri Kodra
Ndonëse aty këtu akoma shkruhet dhe flitet shpesh për temën e madhe të quajtur bashkimi kombëtar, duket se gjithnjë e më shumë po i largohemi asaj. Arsyet që më bëjnë të mendoj se po i largohemi çështjes së bashkimit kombëtar, jo vetëm si ide, por si realitet, janë të shumta. Njëra ndër to është edhe kjo: përderisa gjatë gjithë kohës së mëparshme e deri në kohën e luftës së fundit, duke e përfshirë edhe këtë kohën e luftës, çdo lëvizje popullore dhe kombëtare, në çfarëdo forme të organizimit të saj që mund të ketë qenë, kishte si synim kryesor çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, tani ndodh pikërisht e kundërta: asnjë parti politike parlamentare nuk e ka më këtë synim dhe as që merret më me këtë punë! Kur them, se po i largohemi gjithnjë e më shumë, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë, se unë gjithnjë e më pak kam shpresë se ai bashkim do të ndodh. Kurrsesi. Madje sa më shumë kundërshtarë që mund të vërej se shfaqen, aq më shumë bindem se ai bashkim do të ndodhë një ditë. Do të ndodhë për shkak se është e natyrshme të ndodhë. Do të ndodhë sepse e kundërta e tij është e panatyrshme. Do të ndodhë, në fund të fundit, ashtu siç thoshte Faik Konica, se ‘'Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve", prandaj, Kosova dhe jo vetëm ajo, do të bashkohet me Shqipërinë për inat të këtyre shqiptarëve!
Sa shumë kundërshtarë të bashkimit kombëtar ka sot në hapësirën shqiptare! Është vërtet e habitshme. Kundërshtarë të jashtëm të bashkimit të shqiptarëve  ka pasur gjithmonë - prej se lindi vetë nevoja e bashkimit. Ndërsa, kundërshtarë të brendshëm, kurrë nuk ka pasur në formën dhe në stilin e paraqitjes së të tanishmëve. Këtu le të merremi vetëm me këta të brendshmit, pra kundërshtarët shqiptarë të bashkimit kombëtar shqiptar.
Kush janë kundërshtarët e bashkimit të shqiptarëve brenda shqiptarëve? A mund t'i identifikojmë ata? Dhe, me tej, a mund t'i hetojmë shkaqet që i shtyjnë ata të jenë kështu - kundërshtarë të vetvetes? Qëllimi i ngritjes së këtyre pyetjeve është që të mund të japim përgjigje në pyetjen tjetër të patjetërsueshme: cilat janë pasojat e një sjelljeje të tillë vetëkundërshtuese për shqiptarët?
S'ka dyshim se kundërshtarët më të mëdhenj, që mund të radhiten në rendin e parë, janë politikanët tanë. Politikanët shqiptarë, pavarësisht se në cilin shtet aktualisht veprojnë ata zyrtarisht, janë sot kundërshtarët më të mëdhenj të bashkimit kombëtarë të shqiptarëve, dhe si të tillë, ngase qëndrojnë edhe në pikat më të larta të pushtetit, janë me efekte shumë dëmtuese për jetën shoqërore, politike, kulturore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Të gjitha grupet e tjera të kundërshtarëve, janë pasojë e veprimeve të këtyre politikanëve në fjalë. S'do mend se, ata (politikanët tanë) i nxitë dikush nga jashtë që të veprojnë kështu, por kjo neve as që duhet të na interesojë, dhe as të na shkojë në mendje t'i fajësojmë ata pse po i nxisin këta, e t'i çfajësojmë këta pse u dashka t'i dëgjojnë patjetër ata. Kurrsesi. Them kështu, ngase, jo rrallë herë kam dëgjuar përpjekje të njerëzve të rëndomtë për të çfajësuar politikanë të caktuar për ndonjë sjellje plotësisht të papëlqyeshme prej popullit, me shprehje si "po, edhe ai s'ka pasë dëshirë të bëjë këtë, por ja që s'ka pasë nga t'ia mbajë, ngase e kanë shtrënguar këta ndërkombëtarët", e të tjera të ngjashme!
Në rendin e dytë të kundërshtarëve të mëdhenj, që vijnë menjëherë pas politikanëve, janë disa  gazetarë dhe analistë të politikës. Këta, së bashku me grupin e tretë, në të vërtet, janë aneks i grupit të politikanëve. Veprimtaria e tyre është pjesë përbërëse e strategjisë gjithëpërfshirëse të politikanëve për të kundërshtuar sa më shumë. Dhe veprimtaria e tyre varet kryekëput prej parave që marrin: prej politikanëve dhe institucioneve tona, në forma dhe mënyra të ndryshme - disa prej tyre; dhe prej politikanëve dhe institucioneve të huaja, po ashtu në forma dhe mënyra të ndryshme - disa të tjerë. Veprimtaria e këtij grupi kundërshtues është ngushtë e lidhur me veprimtarinë e grupit të parë kundërshtues. Jeta e të dytit varet shumë prej të parit, sikundër jeta e të parit që varet shumë prej veprës së të dytit. Pra është, thjesht, interes i ngushtë i gërshetuar.
Dhe, në rendin e tretë të kundërshtarëve të mëdhenj, e që vijnë pas politikanëve, gazetarëve dhe analistëve, janë organizatat e ndryshme të shoqërisë civile. Kuptohet që jo të gjitha organizatat e këtij lloji. Të gjitha ato që u thanë për grupin e dytë mund të thuhen edhe për këtë grupin e tretë.
Motivet që i shtyjnë këta kundërshtarë të veprojnë kështu kundër kombit shqiptar, janë fare të ngushta, të ulëta dhe si të tilla tejet primitive.
Ndërsa pasojat e një sjelljeje të tillë janë mjaftë dëmtuese. Ndikimi i këtyre grupeve është i madh, është i shumanshëm dhe me pasoja larghedhëse. Ndikimi i tyre më i drejtpërdrejtë dhe i përtashëm negativ është krijimi i një opinioni kundërshtues ndaj çështjes së përbashkët kombëtare dhe domosdoshmërisë së bashkimit tonë. Lehtë mund të vërehet ky disponim në popull, dhe kjo politikanëve iu konvenon, sepse ata kanë nevojë për një disponim të tillë.
Kur mendon njeriu këto gjëra, i shfaqet një, si të thuash, instinkt, i cili të thërret të madhe: ndaluni o njerëz, ndaluni dhe shiheni veten se ç'jeni duke bërë, mos veproni kështu kundër vetvetes! E vërteta, e drejta, e ndershmja, njerëzorja, madje edhe historia, janë kundër jush. Sepse ju jeni kundër të gjithave, dhe si të tillë, patjetër edhe kundër vetvetes.
Si pasojë e sjelljes së këtyre kundërshtarëve kryesorë të bashkimit kombëtar, janë shfaqur, pra, edhe kundërshtarët dytësor, e të cilët, po ashtu mund të klasifikohen në grupe të ndryshme. Për këtë kategori të kundërshtarëve, shpresoj të shkruaj herën tjetër.