Tiranë, 30 korrik NOA - Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha për lejimin e martesave të homoseksuale ka reaguar edhe Partia Demokristiane e cila deklaroi se kjo është tallja e fundit e Berishës me shqiptarët.
"Partia Demokristiane denoncon talljen e fundit me shqiptarët dhe Bashkimin Evropian të kryeministrit Berisha, kur dje u propozoi shqiptarëve një ligj që legjitimon martesat midis individëve të së njëjtës gjini.
Kryeministri shqiptar e paraqiti këtë ligj, si një ndër ligjet më të rëndësishme që zhduk diskriminimin e një pakice të theksuar dhe shtoi se ky ligj synon vendosjen mbi baza ligjore dhe jodiskriminuese të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane dhe si një kusht për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian" thuhej në deklaratën e PDK-së.
"Partia Demokristiane e vlerëson propozimin e djeshëm të kryeministrit si një tallje të radhës me qytetarët, si një përpjekje djallëzore për të larguar vëmendjen nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare dhe nga problemet e shumta që kryeministri, u ka krijuar qytetarëve shqiptarë gjatë qeverisjes së tij.
Nëse flasim për të drejtat njerëzore në Shqipëri, kryeministri shqiptar ka një listë të gjatë shkeljesh dhe dhunimesh të të drejtave themelore që u ka bërë qytetarëve të vendit të tij, duke filluar me të drejtën për të votuar të lirë si të gjithë qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera demokratike, për të vazhduar me të drejtën e pronës, të drejtën e dëmshpërblimit dhe të integrimit të ish të dënuarve politikë, të drejtën e punës, të barazisë së qytetarëve shqiptarë para ligjit dhe shumë të drejta të tjera që burojnë nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar në fuqi" bëri të ditur më tej PDK.
PDK vlerësoi se Shqipërinë nuk e mban larg BE-së e drejta e homoseksualeve por korrupsioni i lartë në qeverisje, korrupsioni elektoral, dhunimi i procesit zgjedhor, paaftësia për të pajisur qytetarët me karta identiteti dhe pasaporta biometrike në afatet e caktuara, pasiguria e kufijve, reformat e munguara, dhunimi i i pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe e lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
"PDK e shikon propozimin e këtij ligji si një orvatje të kryeministrit për të fshehur problemet themelore që ka sot Shqipëria, sidomos pas zgjedhjeve të deformuara të 28 qershorit që prodhuan martesën e detyruar të PD-se me LSI, duke lënë jashtë parlamentit faktorë të rëndësishëm të të djathtës shqiptare.
Partia Demokristiane denoncon këtë ligj si një ligj që vjen në kundërshtim me natyrën e njeriut, si një ligj që vjen në kundërshtim me besimin te Zoti dhe natyrën e shenjtë të familjes dhe u bën thirrje të gjithë faktorëve të shëndoshë të shoqërisë që të kundërshtojnë miratimin e këtij ligji që nxit antivlerat, deformimet dhe degradimin e racës njërëzore" përfundon deklaratën Partia Demokristiane.
k.k/NOA - Komentoni lajmin e ditës në fund të shkrimit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit