Peqin, 30 Korrik NOA - Një i ri ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur rëndë si rezultat i një aksidenti që ndodhi mbrëmjen e sotme në Peqin, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.00 të së Enjtes në zonën e unazës së qytetit Peqin.
Policia dhe dëshmitarë në vendngjarje, pohuan se gjithçka ndodhi kur dy automjete, njëra me targa të huaja, tip "Renault" dhe tjetra me targa Vlore, tip "Golf", u përplasën mes tyre, në rrethana ende të paqarta.
Për pasojë, ka humbur jetën Besnik Omeri, 30 vjeçar i cili ishte në drejtimin e makinës tip "Wolksvagen Golf" me targa të Vlorës, 5584 C, kur ndodhi tragjedia.
Sakaq ndër të plagosurit, të cilët u dërguan menjëherë në spitalin e Elbasanit, më në rrezik për jetën paraqitet gjendja e Avni Xhepit, rreth 50 vjeçar, kurse tre të tjerët për momentin raportohet të jenë jashtë rrezikut.
Policia ka kryer veprimet e para hetimore por tha se ende nuk ka arritur në një përfundim të saktë mbi rrethanat e shkaqet e aksidentit.
a.k/e.l/NOA