Tiranë, 30 korrik NOA-Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Gjin Marku deklaroi të enjten se rreth 3 mijë personave në Shqipëri iu është mohuar e drejta e votës për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.
Ky komitet do t'i përcjellë parlamentit, partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare një raport auditimi nga zonat që janë të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes.
"Me informacionet e mbledhura nga misionarët tanë në zonat e prekura nga gjakmarrja, përgjatë 100 ditëve të ekspeditës së organizuar, Komiteti do të përgatisë një raport auditimi, të cilin do t'ia përcjellim parlamentit, partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare, që mbështesin misionin tonë për pajtimin e gjaqeve", tha kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Gjin Marku.
Gjakmarrja një fenomen i së kaluarës së shqiptarëve rilindi përsëri pas hyrjes së demokracisë në vitet '90.
Ky fenomen vihet re kryesisht në zonat e mbi Shkodrës, ku pjesë të kanunit të Lek Dukagjinit zbatohen ende.
m.i/NOA