English

Berisha në Laprakë: Përurim punimesh çdo javë, deri në fitoren e 2013-tës

Tiranë, 31 korrik NOA Foto update - Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rrugëve të brendshme të lagjes Laprakë në Tiranë.

Me një financim të Kooperacionit Italian prej 3 milionë eurosh, përfundimi i 13 rrugëve që kapin një gjatësi prej 7 kilometrash, u përshëndet edhe nga ambasadori Italian Saba D'Elia.

"Ju përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohjen më të thellë përulem për mbështetjen e madhe që na keni dhënë, inkurajimin e madh që ju keni bërë, shpreh kënaqësinë që ndajmë sot gëzimin e përfundimit të një projekti, investim bujar i qeverisë mike italiane dhe i zbatuar nga një firmë serioze italiane, "Vëllezërit Salini", në të cilën Lapraka ka sot një infrastrukturë realisht, krejtësisht tjetër dhe të re, si në sistemin e saj rrugor, në kanalizime, në sistemin e furnizimit me ujë, telefoninë dhe të gjitha shërbimet" u shpreh Berisha para banorëve të Laprakës.

"Çdo ditë dhe çdo javë do të inaugurojmë fillim punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri ditën e fitores së ardhshme më 2013.

Është e qartë si drita e diellit, se ky vend ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë, se ky vend ka nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shkolla dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për ujësjellës kanalizime dhe ne po i ndërtojmë; ka nevojë për shërbime dhe ne po i ngremë ato; ka nevojë për turizëm dhe vjen gjithnjë në rritje; Shqipëria ka nevojë për zhvillim dhe ne së bashku pikërisht këtë po bëjmë" shtoi më tej Berisha.

Sipas tij, qeveria do të angazhohet gjatë mandatit të ardhshëm që të krijojë në këtë vend mbi 160 mijë vende pune.

k.k/NOA

KOMENTE