English

Botohen në shqip, aventurat e "Konan Barbarit - Ora e Dragoit"

Tiranë, 31 Korrik NOA - Vjen në shqip romani "Ora e Dragoit", një ndër veprat më të njohura të ciklit të aventurave të Konan Barbarit, ndër më të famshmet në gjininë e aventurave heroike-fantastike, të bërë të njohura edhe më shumë nga filmat e Arnold Shvarcenegerit.

I rrëzuar nga froni i Akuilonias si rezultat i intrigave të një magjistari të sjellë sërish në jetë pasi kish qenë për disa shekuj me radhë i vdekur, Konanit i duhet të gjejë xhevahirin e famshëm të njohur me emrin "Zemra e Ahrimanit" që të mund të rifitojë mbretërinë e humbur dhe… që të mbetet gjallë.

Vetëm "Zemra e Ahrimanit" mund ta shkatërrojë Ksaltotunin, magjistarin e tmerrshëm, dhe Konani duhet të kalojë shumë peripeci për ta shtënë atë në dorë.

Robert E. Howard, ka lindur në Teksas në vitin 1906. Ndonëse vrau veten në vitin 1936, kur ishte vetëm 30 vjeç, ai la pas mjaft vepra, mes të cilave më të famshmet janë padyshim ato që kanë në qendër bëmat fantastike të Konan Barbarit.

Më poshtë gjeni pjesë të përzgjedhura nga libri më i ri:

1. Çohu, o ti që fle!

Flakët e qirinjve të gjatë u drodhën, duke bërë që hijet e zeza të luhateshin mbi mure, dhe sixhadetë e gjata të kadifenjta valëzuan. Por në dhomë nuk frynte erë. Katër burra qëndronin pa lëvizur në anë të tryezës prej abanozi ku shtrihej sarkofagu i gjelbër vezullues si nefrit i gdhendur. Secili mbante në dorën e djathtë të ngritur lart një qiri të zi të çuditshëm, që digjej me një dritë të pazakontë me ngjyrë të gjelbër të shpëlarë. Jashtë ishte natë, dhe një erë e fortë rënkonte në errësirën midis pemëve.

Brenda, në heshtje e midis hijeve, katër palë sy flakërues po vërenin ngultas arkën e madhe mortore dhe hieroglifet e mistershme që dredhonin mbi sipërfaqen e saj, ku përpëlitja e dritës sikur u jepte jetë e gjallëri. Burri që qëndronte tek këmbët e sarkofagut u përkul përsipër dhe lëvizi qiririn si për të shkruar, duke vizatuar një simbol misterioz në ajër. Më pas e vendosi qiririn në shandanin e vet të zi prej floriri, mërmëriti fjalët e një formule magjike që të tjerët nuk arritën ta kuptonin dhe futi thellë një dorë të madhe të bardhë në tunikën me garniturë gëzofi që i zbriste deri tek këmbët. Kur e nxori, mbante në pëllëmbë diçka që dukej si një sferë zjarri e gjallë.

Nga ajo pamje tre të tjerët morën frymë thellë; ndërkohë që nga ana e kundërt e tryezës, burri i fuqishëm dhe me fytyrë të zeshkët pëshpëriti: "Zemra e Ahrimanit!" por një lëvizje e shpejtë dore e bëri të heshtte menjëherë. Së largu, u dëgjua ulërima e kobshme e një qeni, dhe një hap i lehtë u afrua tek dera e mbyllur me lloz dhe zinxhir. Por askush nuk e hoqi vështrimin nga sarkofagu, mbi të cilin burri me tunikën me buzët me gëzof kalonte xhevahirin e madh flakërues, ndërsa murmuriste një formulë magjike që ishte e lashtë edhe kur Atlantida u përpi nga ujërat. Shkëlqimi i xhevahirit të vriste sytë dhe askush nuk ishte në gjendje të kuptonte çfarë po shikonte në të vërtetë. Por papritur kapaku i gdhendur i sarkofagut u hap me zhurmën e një guri që shkërmoqet, sikur e shtynte nga brenda një forcë e papërmbajtshme. Të katër burrat u përkulën me padurim për të parë brenda, dhe kështu mundën të dallonin ç'kishte aty: një formë e paqartë, e fishkur dhe e eshkët e mbështjellë nga fasha prej lini që binin e bënin të dukeshin gjymtyrë të thara nga çdo limfë jete, të errëta si druri i kalbur.

"Do ta risillni në jetë atë gjënë?" murmuriti burri në të djathtë, i shkurtër nga shtati e i zeshkët nga lëkura dhe qeshi hidhur: "Bëhet pluhur vetëm po ta prekësh. Sa budallenj që jemi…"

"Shsh," nxitoi t'ia priste burri që mbante gurin e çmuar. Bebet i kishte të zmadhuara, balli i gjerë dhe i zbehtë i qe mbuluar me djersë. U përkul edhe më shumë mbi sarkofag dhe e vendosi sferën vezulluese mbi gjoksin e mumjes duke u kujdesur të mos e prekte me dorë. Pastaj u tërhoq mbrapsht, dhe e vështroi me një ngultësi që të kallte frikën, dhe lëvizi buzët në një lutje të heshtur.

Mbi gjoksin e tharë e pa jetë të mumjes dukej se po digjej e po lëvrinte një glob zjarri i gjallë. Burrat merrnin frymë zhurmshëm, me dhëmbë të shtrënguar, sepse po shihnin të realizohej para syve të tyre një shndërrim rrëqethës. Forma e eshkët brenda sarkofagut zgjerohej, rritej e zgjatej. Fashat u copëzuan duke u kthyer në një pluhur të kaftë. Gjymtyrët e thara rimorën trashësinë e fillimit dhe u drejtuan. Edhe ngjyra e lëkurës humbi çdo hije të zeshkët.

"Për Mitrën!" pëshpëriti burri në të majtë, flokëverdhë dhe i gjatë nga shtati. "Me siguri nuk ka qenë stigjian. Kishe të drejtë, të paktën për këtë".

Sërish një dorë që dridhej nga tensioni tërhoqi vëmendjen që të ruhej qetësia. Qeni jashtë nuk ulërinte më. Kuiste si nga një ëndërr e keqe. Por pastaj edhe ajo zhurmë e fundit u këput përnjëherësh. Në qetësinë absolute, burri flokëverdhë dëgjonte qartë derën e rëndë tek kërciste mbi mentesha sikur diçka po e shtynte me forcë nga jashtë. Bëri të kthehej, me dorën mbi dorezën e shpatës, por burri me tunikën prej hermine qe gati ta ndalonte me një fishkëllimë: "Mos lëviz. Mos e prish rrethin tonë! Dhe, nëse të dhimbset jeta, mos u afro tek dera!".

Tjetri ngriti supet dhe u kthye përsëri, por ndaloi në mes të lëvizjes duke zgurdulluar sytë. Sarkofagu prej nefriti mbante tashmë një njeri të gjallë: një burrë të gjatë dhe të fuqishëm, lakuriq, të bardhë nga lëkura, të zi nga flokët dhe nga mjekra. Qëndronte pa lëvizur dhe sytë e zgurdulluar ishin të zbrazët dhe pa njohje, si të një të porsalinduri. Mbi gjoksin e tij flakëronte xhevahiri i madh vezullues.

Burri me gëzof hermine u drodh, si të çlirohej nga një tension i jashtëzakonshëm.

"Ishtar!" psherëtiu! "Është Ksaltotuni! Dhe është i gjallë! Valerio! Tarask! Amalrik! E patë? E patë? Nuk donit të më besonit, por unë e mbajta premtimin! Këtë natë kemi shkuar veç një hap larg portave të ferrit, dhe format e errësirës janë grumbulluar shumë pranë nesh. E kanë ndjekur atë deri te pragu, por ne arritëm të rikthejmë në jetë magjistarin e madh!"

"Dhe e kemi dënuar shpirtin tonë me dënimet e përjetshme, pa pikë dyshimi," murmuriti burri shtatshkurtër, Tarasku.

Valerio, burri flokëverdhë, qeshi: "Ç'ndëshkim është më i padurueshëm se vetë jeta? Ne jemi të dënuar të gjithë që kur kemi lindur. Pastaj, kush nuk do të jepte jetën e tij të mjerë në këmbim të një froni?"

"Vështrimi i tij nuk jep shenja njohjeje, Orast," tha burri trupmadh.

"Ka qëndruar shumë kohë midis të vdekurve dhe është në gjendjen e atij që zgjohet papritur. Mendja e tij është e zbrazët pas një gjumi aq të gjatë. Gjumi? Jo, jo ishte i vdekur, jo në gjumë. Kemi sjellë këtu shpirtin e tij nga zbrazëtia dhe thellësitë e natës dhe të harresës. Por më lini t'i flas".

U përkul në anë të sarkofagut dhe duke ngulur vështrimin te sytë e zinj dhe të zgurdulluar të burrit, murmuriti lehtë: "Zgjohu Ksaltotun!"

Buzët e tjetrit lëvizën automatikisht "Ksaltotun!" Përsëriti me një pëshpërimë hezituese.

"Ti je Ksaltotuni!" klithi Orasti, si të ishte një hipnotizues që rrekej ta sugjestiononte. "Ti je Ksaltotuni i Pitonit në perandorinë e Akeronit".

Një shkëndijë njohjeje valëzoi në sytë e zinj.

"Ksaltotuni kam qenë," pëshpëriti. "Por tani kam vdekur".

"Jo! Ti je ende Ksaltotuni," bërtiti Orasti. "Ti nuk ke vdekur, je i gjallë!"

"Unë jam Ksaltotuni," vazhdoi murmurima e mistershme, "por Ksaltotuni ka vdekur. Në shtëpinë time në Khemi, në Stigjia, atje vdiqa".

"Priftërinjtë që të helmuan ta kanë balsamosur trupin me magjitë e tyre të zeza, duke të lënë të paprekura organet!" thirri Orasti. "Por tani je sërish i gjallë! Zemra e Ahrimanit të ka rikthyer jetën dhe ka thirrur shpirtin tënd nga hapësira dhe nga përjetësia".

"Zemra e Ahrimanit!" Flaka e kujtimeve kishte filluar të ndizej. "Ma vodhën barbarët".

"Filloi të kujtojë," u murmuriti Orasti shokëve. "Nxirreni nga qivuri!"

Të tjerët u bindën me ngurrim nga neveria për të prekur atë njeri të rikrijuar nga ata vetë dhe as nuk u ndjenë të qetë kur prekën mishin e fortë dhe muskuloz, plot gjak dhe jetë. Megjithatë e ngritën dhe e vunë mbi tryezë; Orasti e veshi me një tunikë prej kadifeje të zezë me prerje të pazakontë, të qëndisur me yje dhe gjysmëhëna prej ari dhe i lidhi në tëmtha një shirit të ngjyer me flori duke kapur kështu flokët e zinj e me onde, të gjatë deri tek supet. Burri i la ta rregullonin e nuk tha asgjë, as kur e ngritën përsëri dhe e rehatuan në një kolltuk në formë froni me shpinore prej abanozi, me krahët e gjerë prej argjendi dhe këmbëzat prej floriri si putra luani. Qëndroi atje pa lëvizur, ndërsa vetëdija po përparonte ngadalë në sytë e tij të zinj, duke i bërë jashtëzakonisht të thellë e me shkëlqim, si disa drita magjike që dalin me ngadalë në sipërfaqe nga puset e errëta të mesnatës.

Orasti hodhi një sy vjedhurazi nga shokët e tij, që po shikonin të magjepsur mysafirin e tyre të çuditshëm. Nervat e tyre të hekurta kishin kaluar një moment të vështirë nga i cili burra më të dobët do të kishin lajthitur. Shokët e tij të komplotit nuk ishin frikacakë, por burra me kurajë të madhe dhe me ambicie të shfrenuar e aftësi për ligësi. E ktheu prapë vëmendjen nga njeriut që rrinte mbi fronin prej abanozi. Dhe ky më në fund foli:

"Tani po kujtohem," tha me zë të fortë dhe të kthjellët duke folur në gjuhën nemediane me një theks të pazakontë, arkaik. "Jam Ksaltotuni, Kryeprifti i Setit në qytetin e Pitonit, kryeqyteti i Akeronit. Zemra e Ahrimanit. Kam parë ëndërr sikur e kam rigjetur: ku është?"

Orasti ia vuri në dorë dhe ai mori frymë thellë duke vështruar xhevahirin e tmerrshëm që i digjej në pëllëmbën e shtrënguar.

"Ma vodhën shumë kohë më parë," shtoi. "Është zemra e kuqe e natës, e fuqishme për të shpëtuar, e fuqishme për të dënuar. Më erdhi nga larg, nga një e shkuar që s'mbahet mend. Derisa qe në duart e mia, askush nuk mundi të dilte kundër meje. Por ma vodhën, dhe Akeroni ra: nga ajo ditë u bëra mërgimtar në Stigjian e errët. Kujtoj shumë gjëra, shumë të tjera i kam harruar. Kam qenë në vise të largëta, në zbrazëtira të mugëta, humnera dhe oqeane të errëta. Në ç'vit jemi?'

"Viti i Luanit është në të përfunduar," u përgjigj Orasti, "dhe kanë kaluar tre mijë vjet nga rënia e Akeronit".

"Tre mijë vjet," murmuriti tjetri. "Një kohë kaq e gjatë! Po ti kush je?"

"Quhem Orast, dikur prift i Mitrës. Ky është Amalriku, baroni i Torit, në Nemedia; ky tjetri është Tarasku, vëllai i vogël i mbretit të Nemedias dhe ky burri i gjatë është Valerio, trashëgimtari i ligjshëm i fronit të Akuilonias.

"Pse më risollët në jetë?" pyeti Ksaltotuni. "Ç'kërkoni prej meje?"

Tani kishte ardhur plotësisht në vete dhe sytë e tij të mprehtë pasqyronin një mendje të hollë që nuk turbullohej nga asgjë. Në veprimet e tij nuk kishte mëdyshje, as paqartësi. Kishte hyrë drejt e në temë, duke ditur mirë se askush nuk të jep gjë pa gjë. Dhe Orasti ia ktheu me të njëjtën vendosmëri.

"Sonte çliruam shpirtin tënd duke hapur portat e Ferrit dhe ia kthyem trupit, sepse kemi nevojë për ndihmën tënde. Duam të ngjitim Taraskun në fronin e Nemedias dhe duam t'i japim Valerios kurorën e Akuilonias. Ti mund të na ndihmosh me magjinë tënde".

Ksaltotuni nuk pyeti më tej. Mendja e tij dredharake dhe plot ligësi po ndiqte një tjetër fill mendimesh.

"Ti vetë duhet t'i njohësh mirë Artet Magjike, Orast, meqë arrite të më rikthesh në jetë. Po si ka mundësi që një prift i Mitrës të ketë dijeni mbi Zemrën e Ahrimanit dhe magjitë e Skelos?'

"Nuk jam më prifti i Mitrës," iu përgjigj Orasti. "U përjashtova nga urdhri sepse ushtroja magjinë e zezë. Po të mos ishte Amalriku, do të më kishin ndëshkuar në turrën e druve për magji. Por pas përjashtimit tim munda t'u përkushtohem studimeve në liri të plotë. Udhëtova deri në Zamora, në Vendia, në Stigjia dhe në xhunglat e magjepsura të Khitatit. Studiova librat e Skelos me lidhje prej hekuri, pastaj fola me krijesa të padukshme që jetojnë në puse të errëta dhe me shëmbëlltyra pa kokë në xhunglat e qelbura e të zeza. Arrita të gjeja sarkofagun tënd në një kriptë të mbikëqyrur nga qenie demoniake në bodrumet e tempullit të Setit me mure të zeza gjigante, në zemrën e Stigjias dhe mësova marifetet që mund të sillnin në jetë trupin tënd të balsamosur. Nga dorëshkrimet që copëtoheshin mësova për Zemrën e Ahrimanit dhe që atëherë për një vit të tërë kërkova ku ishte fshehur dhe më në fund e gjeta".

"Po pse u mundove të më risillje në jetë?" pyeti Ksalotuni duke ngulur vështrimin depërtues tek prifti. "Mund t'i kishe përdorur për vete të fshehtat e Zemrës, për të shtuar fuqitë e tua. Pse nuk e bëre?"

"Nuk e bëra, sepse askush nuk i di më të fshehtat e Zemrës," u përgjigj Orasti. Artet e tilla kanë vdekur tashmë edhe në legjenda. Dija të të sillja në jetë, por nuk dija asgjë më tepër për sekretet e errëta, ndaj dhe e përdora për të të rizgjuar sërish. Ne dëshirojmë që njohjet e tua t'i përdorësh në të mirën tonë dhe për sa i përket Zemrës, vetëm ti i di të fshehtat e saj të tmerrshme".

Ksaltotuni tundi kokën duke vështruar xhevahirin flakërues i kredhur në mendime.

"Njohja ime e Arteve Magjike është më e madhe se ajo e të gjithë vdekatarëve e tjerë" tha ai, "por as unë nuk i di të gjitha aftësitë e xhevahirit. Në kohët e moçme, nuk guxoja t'i përmendja fuqitë e saj dhe mjaftohesha duke e mbajtur fshehur që askush të mos e përdorte kundër meje. Pastaj ma vodhën, ra në duart e një barbari të paditur dhe mposhti magjinë time të madhe. Pra, u zhduk, dhe priftërinjtë ziliqarë të Stigjias më helmuan para se të zbuloja vendin ku fshihej".

"Ishte fshehur në një shpellë poshtë tempullit të Mitrës në Tarantia," tha Orasti. "E zbulova me dredhi, pasi kisha gjetur eshtrat e tua në tempullin e nëndheshëm të Setit. Një grusht hajdutësh zamporianë, të mbrojtur nga magji që kam mësuar në vende që është me rrezik edhe t'i zësh në gojë, rrëmbyen sarkofagun tënd nga kthetrat e qenieve që e mbikëqyrnin në errësirë, dhe e sollën në këtë qytet, mbi kurrizë devesh, mbi anije e karroca. Po ata hajdutë, ose më saktë të mbijetuarit nga kërkimi i frikshëm, vodhën Zemrën e Ahrimanit nga shpella e yshtur në korridoret e nëndheshme të tempullit të Mitrës dhe për pak gjithë aftësitë njerëzore dhe gjithë magjitë do të kishin qenë të pamjaftueshme. Një nga ata hajdutët arriti të mbijetonte derisa më arriti dhe më dorëzoi gurin e çmuar, para se të vdiste duke belbëzuar fjalë pa lidhje rreth tmerreve që pa në atë kriptë të mallkuar. Askush nuk është më besnik sa një hajdut zamporian. Madje edhe me magjitë e mia, askush tjetër nuk do të kishte qenë i zoti të zhvaste Zemrën nga strofulla e zezë e ruajtur nga demonët, ku kishte qëndruar që nga rënia e Akeronit, tre mijë vjet më parë".

Ksaltotuni ngriti kokën prej luani dhe nguli sytë tej në zbrazëti sikur numëronte shekujt e humbur.

"Tre mijë vjet," murmuriti. "O Set! Më trego ç'ka ndodhur në botë!"

"Barbarët që shkatërruan madhështinë e Akeronit the­meluan mbretëri të reja," sqaroi Orasti. "Në hapësirën ku shtrihej më parë gjithë ajo perandori u forcuan fuqitë e Akuilonias, Nemedias dhe Argosit, të quajtura kështu nga fiset që i themeluan. Mbretëritë e lashta të Ofirit, Korinthit dhe Kothit perëndimor, më parë kundërshtarë të mbretërve të Akeronit, rifituan pavarësinë pasi ra perandoria".

"Po ç'u bë me popullin e Akeronit?" pyeti Ksaltotuni. "Kur u arratisa drejt Stigjias, Pitoni ishte një mal me gërmadha, gjithë qytetet e tjera me kullat e purpurta të Akeronit ishin larë në gjak, e ishin shkelur nga këmba e barbarëve".

"Në male mbijetojnë ende fise të vegjël që krenohen se rrjedhin nga Akeroni. Por mbi gjithë të tjerët kaloi vala e madhe e paraardhësve të mi barbarë dhe i fshiu tutje. Ata, paraardhësit e mi, kishin vuajtur shumë nga mbretërit e Akeronit".

Në buzët e pitonianit u formua një buzëqeshje e zymtë dhe e tmerrshme.

"Po! Shumë barbarë, burra dhe gra, vdiqën duke ulëritur në altar, të vrarë nga dora ime. Kam parë kokat e tyre stivë sa një piramidë në sheshin e madh të Pitonit, kur mbretërit ktheheshin nga perëndimi të pasuruar me plaçkë lufte dhe të burgosur lakuriq të lidhur me zinxhirë pas karrove".

"Po. Edhe në ditën e larjes së hesapeve, shpata u përdor pa kursim. Kështu ra Akeroni, dhe kullat e purpurta të Pitonit u shndërruan në mitin e një epoke të largët. Por mbretëritë e reja të ngritura mbi rrënojat perandorake u pasuruan gjithmonë e më shumë. Dhe tashmë të kthyem sërish në jetë për të na ndihmuar të sundojmë këto mbretëri, të cilat nuk janë aq të begata dhe të mrekullueshme si Akeroni i lashtë, por janë dhe ato të pasura dhe të fuqishme dhe ia vlen të luftohet për t'i shtënë në dorë. Shiko!" Orasti shpalosi para syve të të huajit një hartë të vizatuar artistikisht në lëkurë deleje.

Ksaltotuni bëri ta shqyrtonte, por befas tundi kokën, i turbulluar. "Emërtimet e vendeve janë ndërruar. Duket si diçka familjare e parë në ëndërr e shtrembëruar nga fantazia"

"Sigurisht," iu përgjigj Orasti dhe ndoqi me gisht hartën. "Këtu ndodhet Belvero, kryeqyteti i Nemedias ku jemi ne. Kufijtë e Nemedias janë këtu. Në jug e në juglindje ato të Ofirit dhe Korinthit, Brithunia është në lindje, Akuilonia në perëndim".

"Është harta e një bote që nuk e njoh," tha Ksaltotuni me ton të qetë, por Orasti nuk mundi të mos e dallonte valën e urrejtjes që përshkoi për një çast sytë e zinj.

"Është një hartë që do të na ndihmosh ta ndryshojmë," iu përgjigj Orasti. "Së pari duam që Tarasku të ngjitet në fronin e Nemedias. Duam që kjo të bëhet pa luftë, në mënyrë që të mos lindin dyshime mbi të. Nuk duam që vendi të shkatërrohet nga luftërat civile, por të ruajmë fuqitë për pushtimin e Akuilonias. Nëse Mbreti i tanishëm Nimedi, dhe bijtë e tij vdesin nga shkaqe natyrore, për shembull të goditur nga murtaja, Tarasku do të ngjitej në fron si trashëgimtar i ligjshëm, pa kundërshtarë, paqësisht".

Ksaltuotuni bëri shenjë me kokë, pa thënë asnjë fjalë, dhe Orasti vazhdoi.

"Objektivi i dytë do jetë më i vështirë. Nuk mund t'i japim Valerios fronin e Akuilonias pa luftë. Ajo mbretëri është një kundërshtare e fuqishme. Njerëzit që jetojnë atje janë racë e ashpër dhe luftarake, e kalitur nga luftëra të vazhdueshme kundër Pitëve, Zingarianëve, Çimerëve. Për pesëqind vjet Nemedia dhe Akuilonia kanë luftuar me njëra-tjetrën thuajse vazhdimisht dhe fitorja përfundimtare u ka buzëqeshur gjithmonë Akuilonianëve.

Mbreti i tyre i tanishëm është luftëtari më i famshëm i gjithë kombeve perëndimore. Është i huaj, një aventurier që e ka zaptuar kurorën me forcë, gjatë një lufte civile duke mbytur me dorën e vet Mbretin Numedid në fronin e tij. Quhet Konan dhe askush nuk matet dot me të në luftë. Tani Valerio është pretendenti i ligjshëm i fronit. U dërgua në mërgim nga Numedidi, i afërm i tij dhe për shumë vjet ka qëndruar larg vendit, por në dejtë e tij rrjedh gjak i dinastisë së vjetër. Dhe shumë baronë fshehtas do të ishin të lumtur nëse do të rrëzonit nga pushteti Konanin që është një hiç, pa gjak mbretëror apo të paktën fisnik. Mirëpo njerëzit e thjeshtë janë besnikë të Konanit, si dhe fisnikët e provincave më të largëta. Nëse ushtria e tij do të shpartallohej në betejë dhe vetë Konani të vritej, besoj se nuk do të ishte e vështirë të ngjitej në fron Valerio. Në fakt, me të vdekur Konani, do të zhdukej dhe forca që mban të bashkuar kombin. Ai nuk është pjesë e ndonjë dinastie, por vetëm një aventurier pa pasardhës".

"Do të doja ta shihja këtë mbret," tha me kureshtje Ksaltotuni, duke hedhur vështrimin mbi një pasqyrë të argjendtë që formonte një prej paneleve të murit. Sipërfaqja e pasqyrës nuk pasqyronte shëmbëlltyra, por nga shprehja e fytyrës shihej që Ksaltotuni e kishte kuptuar përse shërbente. Orasti pohoi me kokë, me krenarinë e një artizani të zotë që sheh punën e tij nga një mjeshtër i të njëjtit zanat.

"Do të mundohem të ta tregoj," i tha, dhe duke u ulur përballë pasqyrës nguli në mënyrë hipnotizuese vështrimin të thellësi të saj, ku menjëherë filloi të formohej një hije e turbullt.

Ishte misterioze, por ata që po shikonin e dinin që bëhej fjalë vetëm për një shëmbëllim të mendimeve të magjistarit, të mishëruara në atë pasqyrë, si ato të një falltari që marrin formë në një sferë kristali. Shëmbëlltyra në fillim erdhi e turbullt, pastaj u qartësua menjëherë, duke nxjerrë në pah një burrë të gjatë, me shpatulla të fuqishme e kraharor të gjerë, me qafë të fortë dhe gjymtyrë me muskuj të fuqishëm. Ishte veshur në mëndafsh e kadife. Në veshjen e sipërme ishte qëndisur me flori luani mbretëror i Akuilonias dhe kurora shndriste mbi floknajën e tij të zezë e të prerë në formë katrore, por shpata që kishte në krah i shkonte për hak pamjes së tij, më shumë sesa zbukurimet mbretërore. Qerpikët e zinj e të dendur kapërcenin dy sy të një kaltërsie vullkanike të thellë. Ishin të shndritshëm sikur mbanin një flakë të brendshme. Fytyra, e zeshkët e me vraga, gati kërcënuese, ishte tipike e një luftëtari dhe kadifeja e veshjeve nuk arrinte të zbuste linjat e vrazhda e të tmerrshme të gjymtyrëve të tij.

"Ai njeri nuk është hiborian," klithi Ksaltotuni.

"Jo është çimer. Një i egër nga fiset që jetojnë në malet e murrme të veriut".

"Kam luftuar kundër paraardhësve të tij të largët në kohën time," murmuriti Ksaltotuni. "As mbretërit e Akeronit nuk arrinin t'i mposhtnin".

"Po," iu përgjigj Orasti, "edhe sot janë tmerri i popujve jugorë. Ai njeri është një bir i vërtetë i racës së tij të egër dhe deri tani askush nuk ka mundur ta mposhtë".

Ksalotuni nuk foli. U ul dhe vështroi ngultas burimin e zjarrit të gjallë që i ndriçonte në dorë. Jashtë u dëgjua sërish ulërima e qenit, e gjatë dhe e thellë.

Të dhënat:

Autori: Robert E. Howard

Titulli: Konan Barbari - Ora e Dragoit

Përktheu: Fatbardha Muçollari

Numri i faqeve: 239

Çmimi: 750 lekë

Botues: Botimet Linus

/a.k/NOA/ - Komentoni lajmin e ditës në fund të shkrimit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE