English

Braktisur nga çdo pushtet, por nderuar nga brezat

Intervistë me poeten e parë shqiptare Adelina R Mamaqi

Albert Zholi

Adelina Mamaqi është një nga personalitetet e letërsisë shqipe, me rreth pesëdhjetë librat e saj, të botuar, të ribotuar e të përkthyer brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 1963 botoi librin me poezi për të rritur "Ëndrra vashërie ", libri i parë i një poeteje shqiptare, i cili bëri jehonë te lexuesit dhe te kritika jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për faktin se theu një tabu: kjo poete e re merrte guximin të shprehte ndjenjat e dashurisë femërore, në një kohë kur fjala "dashuri" ishte thuajse një mëkat. " Ëndrra vashërie" u ribotua menjëherë në Kosovë, ku bëri një jehonë të jashtëzakonshme.

Po këtë vit botoi librin me poezi " Bubi i vogël ", duke u bërë kësisoj edhe poetja e parë e letërsisë sonë për fëmijë. Që atëherë e gjer tani, kur vazhdon të jetë në aktivitet të plotë, ka botuar rreth pesëdhjetë libra.

Pasi bëmë një prezantim të shkurtër të karrierës së gjatë dhe të pasur letrare të Adelina Mamaqit, i drejtuam disa pyetje, nëpërmjet të cilave do të njihemi më mirë me jetën dhe veprën e saj.

Mund të na tregoni pak për familjen tuaj dhe fillimet në jetë, në studime, në krijimtari?

Jam lindur në Tiranë, në një familje me origjinë përmetare që njihet për traditat e saj patriotike dhe kulturore. Prindërit e mi, Rahmi dhe Afërdita, kishin shkollë amerikane. Të dy shkruanin, madje edhe botonin në shtypin periodik. Xhaxhai, Nazif Mamaqi, ka qenë poet dhe botues. Po kështu kanë botuar edhe biri i tij Dashnor Mamaqi dhe mbesa Kozeta. Djemtë e mi Darling e Bledar kanë kryer studimet e larta njeri regji e tjetri muzikë klasike. Të njohur janë edhe emrat e Sonjës, Fitores, Ermalit, Sindit ( e sapo diplomuar në kanto ).

Xhaxhai tjetër, Lame, më 1912, ka ngritur flamurin në Përmet. Ndërsa nga nëna jam mbesa e Fehmi Tepelenës, patriot i njohur, delegat në ngritjen e flamurit në Vlorë, jurist, parlamentar, demokrat, i vrarë misteriozisht në regjimin e mbretit Zog.

Jam rritur mes librave dhe muzikës, sidomos asaj klasike, sepse në shtëpi kishim shumë pllaka gramafoni me muzikë të kompozitorëve të mëdhenj. Në moshën pesë vjeçare lexoja dhe dija përmendësh poezi të Mjedës, Kristoforidhit, Malëshovës dhe Epopenë e Ballit Kombëtar të Musarait. Në moshën gjashtë vjeçare fillova shkollën, por direkt në klasë të dytë. Kësisoj, gjashtëmbëdhjetë vjeç mbarova shkollën e mesme, ku pata fatin e madh të jem nxënësja e dy personaliteteve të shquar Skënder Luarasi dhe Nonda Bulka, të cilët ndikuan shumë tek unë. E kam thënë dhe e përsëris: profesor Nonda ishte ai që më nxiti e më dha besimin të botoj. " Ti do të bëhesh shkrimtare " më shkruante në çdo hartim dhe, fatmirësisht, pati të drejtë.

Ju keni hyrë në letërsi si poetja e parë për të rritur. Si ndodhi që vazhduat t'i përkushtoheni letërsisë për fëmijë, ku, përsëri, jeni e para poete?

Po, është e vërtetë. "Ëndrra vashërie " ishte një debutim i guximshëm dhe i suksesshëm për mua. Këtë e ndjeva menjëherë pas botimit të tij te lexuesit , të cilët edhe sot e kësaj dite, madje edhe të brezave që atëherë nuk kishin lindur, vijnë e ma kërkojnë për ta lexuar. Jehona e tij në Kosovë ishte e tillë, që kur në vitin 1972, me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, shkova në mitingun e poezisë, jam pritur me një admirim që më bëri t'i them vetes " Qenke vërtet poete!". Ndërsa kolegët edhe lexuesit e thjeshtë, kur më takonin, shpesh më thoshin" Na e ke mbushë Kosovën me Adelina, moj burrneshë!" Ndonjë më kishte dedikuar edhe poezi. Por ajo që më ka emocionuar më shumë është poezia e poetit të mirënjohur Agim Deva, e cila zë vendin e parathënies në përmbledhjen time poetike për të rritur, " Një mjellmë nga vitet ", botuar së fundmi në Prishtinë. Kam në proces edhe një përmbledhje të re poetike për të rritur. Pra, atë nuk e kam braktisur. Ajo ka mbetur për mua "dashuria e parë". Por aq e çiltër dhe lirike siç ishte, nuk mund t'u rezistonte kërkesave rigide të realizmit socialist. Ndaj e mbajta " të kyçur " në sirtar dhe iu dedikova botimeve për fëmijë. Megjithatë, përveç librit " Një mjellmë nga vitet ", në Verona të Italisë, më është botuar përmbledhja poetike " La voce spezzata " ( Zëri i copëtuar ), e cila u mirëprit nga lexuesit. Më 2007, në "Antologia della letteratura albanese ", botuar nga Pellegrini Editore dhe hartuar nën kujdesin e shkrimtarit të shquar, profesor Nasho Jorgaqi, jam përfaqësuar ndër autorët më të njohur shqiptarë. Po kështu jam përfaqësuar edhe në antologji të letërsisë botërore për fëmijë, etj. Pjesë nga poezia ime janë ribotuar shpesh jashtë Shqipërisë, para viteve 2000. Më vonë emigrova dhe nuk di asgjë. Di vetëm që krijimtaria ime studiohet në Universitet dhe është prezente në librat shkollorë dhe jashtëshkollorë të rekomanduar, si te ne, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni.

Më pyetët si ndodhi që iu përkushtova letërsisë për fëmijë. Në 1962 u emërova redaktore në redaksinë e fëmijëve në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri ". Prisja të bëhesha nënë. Kryesisht kjo ndjenjë e papërshkrueshme, më nxiti të shkruaja poezitë që u botuan nën titullin "Bubi i vogël" Përsëri isha poetja e parë e kësaj letërsie. Përsëri libri u vlerësua si një sukses. Gjer tani kam botuar rreth pesëdhjetë libra. ( Pa përfshirë pjesët teatrale, tablotë muzikore, tekstet e panumërta të këngëve ) Një pjesë e madhe janë vlerësuar me çmime të para në konkurse kombëtare. Po përmend vetëm Goni Trazovaçin, ku besoj se çdo lexues i vogël e ka gjetur paksa vetveten.

Ndër këto libra përfshihen edhe ribotimet?

Jo. Flas për titujt. Vetëm që nga viti 2004 kam botuar pesëmbëdhjetë libra të rinj, në gjini të ndryshme, plus edhe katër ribotime të ripunuara thellësisht, të sjella në kohë e hapësirë, për brezin e fëmijëve të mijëvjeçarit të ri, Kjo jo vetëm sepse jetoj me botën e fëmijëve, por edhe sepse, lumturisht, jam gjyshja e një mbese të mrekullueshme, që quhet Xhois, së cilës i kam kushtuar një nga përmbledhjet e fundit "Xhoi - toi " dhe që është frymëzimi im. Kam mbi njëzet libra të tjerë, që presin të botohen. Për sa u përket ribotimeve, sinqerisht, nuk e di sa herë janë ribotuar e shpërndarë jo vetëm në Shqipëri, por në disa vende të ndryshme, gjer në Australi. Më ka ndodhur të vijnë e të më takojnë emigrantë që kanë fëmijë dhe të më kërkojnë " Orizin e milingonave", " Hedhin valle bletët", " Si e gjete folenë, moj dallëndyshe, " Zogu Pup në shtëpinë prej xhami" etj Ato i kanë lexuar disa breza.

Të përcillet nëpër breza dhe të jetë i nderuar prej tyre, është privilegji i madh i shkrimtarit për fëmijë. Por, ne jemi të traskuruar nga shteti, më saktë nga pushteti. Vetëm se pushtetarët kanë jetë aq sa kanë pushtet. Ndërsa ne jetojmë edhe kur nuk jetojmë më. Asnjë nga shkrimtarët për fëmijë nuk merr pension të veçantë, të cilin e përfiton edhe ndonjë emër i pa njohur, militant. Madje dy tri vjet më parë, u anunçua në median e shkruar dhe elektronike një listë prej tetë emrash, që fillonte me të nderuarin Fatos Kongoli, në të cilën isha edhe unë, por, Adelina Mamaqit, pa asnjë motivacion, pensioni nuk iu akordua. Në vitet e Diktaturës një talent vlerësohej edhe pa qenë anëtar partie, madje mund edhe të nderohej me Urdhrin e lartë "Naim Frashëri ", me të cilin unë jam nderuar dy herë, ndërsa tani, po nuk je partiak, nuk ke asnjë vlerë. Paradoks i demokracisë shqiptare! Është e dhimbshme të jetosh me 12000 lekë në muaj. Por më shumë është e turpshme për ata që na lënë të jetojmë në këtë varfëri ekstreme, duke na fyer e mohuar një të drejtë legjitime. Le të mos flasim këtu për titullin " Mjeshtër i Madh i Punës", sepse, puna e madhe e shkrimtarit, për filizat e së ardhmes, duket e vogël(!)

Duke shfrytëzuar mundësinë që më dhatë për t'u intervistuar, në emër të kolegëve të mi, gjej rastin t' i bëj apel Presidentit të Republikës, Zotit Bamir Topi, i cili e ka manifestuar sensibilitetin dhe respektin e Tij ndaj personaliteteve të artit dhe kulturës, dhe i cili është rritur e ka rritur fëmijët me librat tona, që ta drejtojë vëmendjen edhe nga personalitet e letërsisë për fëmijë, e cila është pjesë e vlerave të letërsisë së një kombi, siç janë veprat e shkrimtarëve të nderuar nga gjithë bota, Andersenit, vëllezërve Grim, Kolodit, Rodarit, Gorkit,etj,

Brezat e lexuesve e kanë mirëpritur krijimtarinë tuaj. Po kritika?

Shkrimtari shkruan. Kritikët analizojnë. Kritikët konstruktivë, sidomos kur vënë në pah edhe mos arritjet e veprës sate, të ndihmojnë të reflektosh e t‘u jesh mirënjohës. Ka edhe kritizerë destruktivë. Edhe këtyre personalisht u kam qenë mirënjohëse, sepse më kanë bërë të qesh e më kanë shtuar grintën për të shkruar edhe më mirë. Ua them me vërtetësi se disa nga librat e mi më të pëlqyer, të nderuar me çmime të para nëpër konkurse, janë shkruar falë ndonjë kritizeri.

Me kritikën konstruktive jam përballur që me botimin e librit tim të parë, i cili u vlerësua si një risi. Ndër të tjera, veçanërisht, vlerësimi në shtyp i Dritëro Agollit, ka qenë një nder për mua. Më vonë libra të mi, të veçantë, ose krijimtaria ime në përgjithësi, është bërë objekt i kritikës.. Mund të përmend këtu mjaft kritikë e shkrimtarë të njohur që kanë botuar shkrime e studime, si M: Krasniqi, O. Grillo, T: Gjokutaj, P: Koçi, Xh. Bushati, V: Kikaj, A: Deva, F. Shkodra, R: Çadri, Xh: Sylaj, F: Bojku, M: Nelaj, I. Ibishi, Sh. Rama, e cila së fundmi ka botuar monografinë "Shpirti plot rubinë ", etj.

Me që është rasti, dua të ndalem paksa edhe te kritika bashkëkohore.. Për fat të keq, në vlerësimin e veprave për fëmijë, duke filluar nga konkursi " Pena e Artë", organizuar nga Ministria e Kulturës, në juri nuk vihet asnjë shkrimtar apo kritik për fëmijë. Kësisoj, del ndonjë që qenka edhe "estet", edhe opinionist, edhe politikan, si për shembull njëri që më duket e ka emrin apo mbiemrin Mark, dhe deklamon se nuk paskemi letërsi për fëmijë (!!!) (Të na shkruajë ky zotëri një libër për fëmijë, që të na mësojë si shkruhet!) Kështu, si pasojë, ai, i vetmi çmim i caktuar për letërsinë për fëmijë, qenka e udhës t'i akordohet ndonjë shkrimtari për të rritur, pjesëtar i klaneve. Edhe para nja tre vjetësh, kur e drejta e këtij çmimi ende nuk i ishte privuar letërsisë për fëmijë, iu dha një emri ( fantazmë), që as nuk ishte parë dhe as nuk u pa më të shkruante e të botonte.

Këto janë qëndrime të pa tolerueshme jo vetëm të këtij apo atij individi, por të institucioneve, që ulen në nivelet e atyre.

Pas një aktiviteti letrar tridhjetë vjeçar, ju u larguat nga Shqipëria. U shkëputët edhe nga letërsia jonë për fëmijë. Tani si e rigjeni atë?

Letërsia jonë për fëmijë, duke patuar fatin të ishte paksa më e çlirët nga "dara" e realizmit socialist, krijoi një plejadë shkrimtarësh, veprat e të cilëve kanë mbetur gurë themeltarë në fondin e saj të artë. Pra, evidentoi personalitete si S. Çomora, O.Grillo, Xh. Beqaraj, B. Dedja, T. Gjokutaj, së bashku edhe me kolegët nga Kosova A. Deva, V. Kikaj, R. Kukaj, Q. Batalli, Xh. Sylaj, Y. Elshani, etj, me krijimet e tyre origjinale e të veçanta. Madje edhe personalitete të shquara të letërsisë shqipe, si I. Kadare, D. Agolli, N. Jorgaqi, D. Bubani, Xh. Spahiu, i dhuruan kësaj letërsie vepra që kontribuan në vlerat e saj.

Tani mjaft shkrimtarë, që le t'i quajmë brezi i vjetër, si S. Hasko, B. Xhama, P. Zoto, P. Koçi, G. Bushaka, M. Vyshka, M. Qirici, N. Tyto, etj, janë në aktivitet të plotë, botojnë libra të reja, duke sjellë edhe arritje të reja. Por edhe shumë shkrimtarë më të rinj si Xh. Bushati, V. Cenosinaj, A. Bishqemi, H. Meça, N. Muça, V. Saro, F. Ukcama , Sh. Zalli, F. Beqaraj, etj, kanë pasuruar krijimtarinë e tyre dhe letërsinë për fëmijë me vepra të reja, me nivel artistik, larg skematizmit dhe pranë jetës e problematikës së botës së sotme fëmijërore, disa prej të cilëve, duke krijuar personalitete.

Por krahas kësaj, është për të ardhur keq se në letërsinë për fëmijë pothuajse nuk ka më firma të reja. Edhe ato dy - tre që janë në fillimet e tyre premtuese, si Ledia Ikonomi, Rovena Rrozhani, e ndonjë tjetër, jo vetëm që ndeshin në qëndrimin komercial të botuesve, por edhe mospërfillës të kritikës. Mund të shkruash një libër dosido për të rritur, madje nga ato që i boton kush ka para t'i subvencionojë, dhe në media të bëhet një jehonë e madhe. Ndërsa mund të botosh një libër për fëmijë, që lexuesi e "rrëmben" nga vitrinat dhe botuesi e ri boton brenda një kohe të shkurtër, dhe media të heshtë tërësisht. Përveç kësaj t' i shtojmë faktin e hidhur se shkrimtarët e rinj shikojnë qëndrimin që mbajnë institucionet shtetërore, nisur nga Kryeministria, ndaj personaliteteve të kësaj letërsie. Kësisoj stepen, tërhiqen. Dhe kjo rrezikon ecurinë e kësaj letërsie, rrezikon të mos ketë më lëvrues.

Më 2004, pata nderin të zgjidhesha kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Vura të gjitha forcat për riorganizimin, ecurinë e saj dhe vlerësimin e kolegëve. Por, kur e pashë qëndrimin pushtetar partiak, që u mbajt ndaj meje, duke më mohuar të drejtën e pensionit të veçantë, të merituar me personalitetin tim letrar, dhashë dorëheqjen.

Shpresoj që dikush nga "dikushët" ta lexojë këtë intervistë, dhe, ndoshta, ndalet të reflektojë për këto qëndrime denigruese dhe të kuptojë se sa e vështirë është të shkruash për fëmijë. Sepse të duhet jo vetëm të " ri kthehesh " në fëmijëri ", por të bëhesh fëmijë bashkëkohor. Pra, të kapërcesh " ylberin" e brezave, të cilët evoluojnë.

Besoj që lexuesit kanë interes të njohin diçka edhe nga jeta juaj. Çfarë mund t'u thoni?

Si fillim, do t'u thosha se bëjnë pjesë në jetën time. Sepse i dua njerëzit. Dua edhe kafshët, të cilat, kur i keqtrajtojnë, më ther në shpirt, edhe lulet, të cilat, kur i këpusin, më duket se ndjejnë dhimbje. Dua jetën, tek e cila rri mbështetur mbi dy dashuri të mëdha: djemtë e mbesa, që ma mbushin atë dhe, në radhë të dytë, krijimtaria që, siç e them me shaka të vërtetë, " më mban mendjen e kokës!"

Jeta ime është një paradoks. Kam qenë vajzë e vetme e një familjeje në gjendje. Jam rritur e kam jetuar mes të mirave. Më 2002, në prag të pensionit, pas 35 vjet pune, dola në asistencë, sepse "partiakëzimi" është jashtë meje. Mbeti pa punë edhe djali i madh, Darling, që kishte interpretuar në tre filma dhe sapo ishte emëruar asistent regjisor në Kinostudio. Na detyruan të marrim rrugën e hidhur të mërgimit. U gjendëm në Milano të Italisë. Atje im bir ka krijuar familje por edhe ka humbur ëndrrën e jetës së tij, regjinë, ku ishte mjaft premtues. Ishin vitet kur u provokua hemorragjia e dhimbshme e gjakut dhe e trurit. Atë emigracion të detyruar, edhe sikur për veten time, si Adelinë, t'ua falja, si nënë, as unë dhe asnjë nga nënat e tjera, nuk mund t'ua falë dot.

Kam botuar aq sa thashë, jam shtatëdhjetë vjeç, vazhdoj të shkruaj e të botoj dhe përpiqem të mbijetoj me atë palo pension, me të cilin as nuk varrosesh dot.

Më është dashur të jem nënë dhe baba. U kam dhënë gjithë dashurinë, kujdesin e përkushtimin djemve të mi. Kam investuar shumë për formimin moral e intelektual të tyre dhe kam arritur maksimumin, për të cilin ndihem e penduar: janë jashtë kohe të ndershëm.

Jeta është treguar edhe bujare edhe e egër me mua. Sidomos, që nga nisja në mërgim, ajo "më ka shpallur luftë" fizike, shpirtërore, emocionale, ekonomike. Jam mbështetur gjithmonë "mbi shpatullat e mia. Kjo më bën krenare, sepse nuk i jam nënshtruar askujt dhe as jetës! Por asaj i jam edhe mirënjohëse, sepse më ka dhuruar dy djem e një mbesë që i dua mbi çdo gjë në botë.

Â

KOMENTE