Shqiptarët e Kosovës, sipas një hulumtimi të Gallup Ballkan Monitor, janë përkrahësit më entuziastë të BE-së në Ballkan. Sociologët e konsiderojnë këtë perceptim si një paradoks, meqë vjen në kohën kur Kosova është lënë anash nga proceset integruese të BE-së
Nga Albana Isufi
Pritjet dhe realiteti në diskrepancë të madhe. Kjo dëshmohet në hulumtimin e fundit të Gallup Ballkan Monitor-it në lidhje me perceptimet për integrimet evropiane. Shqiptarët e Kosovës janë populli më përkrahës i integrimeve evropiane dhe më optimisti se do të mirëpritet në Komisionin Evropian. Sociologët dhe njohësit e integrimeve evropiane thonë se këto perceptime paraqesin një paradoks nëse krahasohen me situatën politike, ekonomike dhe me vetë proceset integruese, nëpër të cilat kalon Kosova. Sociologu Fadil Maloku jep disa shkaqe për perceptime të tilla. "Nuk është hera e parë që perceptimet e shoqërisë kosovare dallojnë nga perceptimet e popujve tjerë, që të paktën janë në fazën e asociimit me BE-në. Këtu mendoj se është një mentalitet i trashëguar që interesat e ndryshme kolektive t'i perceptojë me një dozë shpresëdhënëse". "Është një paradoks i llojit të vet, kur dihet se të gjitha parametrat ekonomikë, politikë e socialë, në njëfarë mënyre flasin në disfavor të kësaj teze", thotë Maloku. Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë tri vendet e fundit të Ballkanit Perëndimor, që ende nuk kanë fituar të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa nga janari, kjo e drejtë pritet t'u jepet Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi. Në hulumtimin e Gallup Ballkan Monitor-it vërehet se në vendet që janë më afër integrimit, doza e skepticizmit për bllokun evropian është më e madhe. Në Kroaci, e cila është një hap larg integrimit, këtë proces e mbështesin vetëm 29 për qind. Analisti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, e lidh optimizmin e kosovarëve për integrime evropiane me zhvillimin që ata mendojnë se mund të sjellë anëtarësimi. "Është pak e çuditshme, sepse vërehet një optimizëm shumë i madh për këtë proces dhe unë mendoj se kjo ka arsyet e veta. E para mund të jetë se qytetarët me BE-në perceptojnë të ardhura, begati, mjete financiare dhe perceptojnë se nëse Kosova anëtarësohet në BE, do bëhet vend tepër i zhvilluar", shprehet Muharremi. Vetë Gallup Ballkan Monitor shpjegon se identifikimi me Evropën mund të shihet si shpjegim i mundshëm i qëndrimeve të popujve të Ballkanit karshi BE-së. Në hulumtim thuhet se të gjitha mjediset me banorët shqiptarë, si në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, kanë treguar një identifikim të afërt me Evropën dhe përkrahje të madhe për integrimet evropiane, që nuk ka ndodhur me serbët apo kroatët. Pastaj, mbështetja për pavarësinë e Kosovës, që ka ardhur nga shumica e vendeve të BE-së, shihet si motiv shtesë që kosovarët të rrisin mbështetjen për BE-në. Fadil Maloku mendon se perceptimi i shqiptarëve është më shumë emocional. "Dëshirojnë të jenë në Evropë pa i përgatitur parakushtet, po flas si shoqëri, si tërësi, si kulturë, si civilizim, të cilat, në njëfarë mënyre, e influencojnë, e përgatisin shoqërinë për ta futur në agjendën evropiane për integrim", thotë Maloku. Në anën tjetër, Shenoll Muharremi mendon se edhe mosinformimi i duhur me proceset integruese i bën kosovarët të jenë më shpresues. "Ndoshta është pak absurde që në një moment shumë fundamental, kur Kosova nuk është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave, në kushte normale do të duhej të pritej një rënie në dozën e përkrahjes. Andaj, kjo le të kuptohet se shumica nga ne kosovarët nuk e kemi shumë të qartë gjendjen që e kemi dhe i kemi të pabazuara, të pamenduara mirë këto vlerësime kur bëjmë", thotë Muharremi. Shtetet e rajonit e kanë të qartë rrugën se çfarë duhet përmbushur për të merituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por, kjo nuk vlen edhe për Kosovën, e cila vetëm gjatë kësaj vjeshte mund të marrë studimin e fizibilitetit, dokument ky që tregon rrugën për integrim. Mosnjohja e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së shihet si pengesë në proceset integruese.
RFE
Komentoni opinionin e publikuar / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit