Tiranë, 31 korrik, NOA - Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare që krahas me vazhdimin e punës për plotësimin e të gjithave kushteve të kërkuara nga Bashkimi Europian për liberalizimin e regjimit të vizave, të marrë në konsideratë edhe vendosjen e sistemit të njëjtë të reciprocitetit të pajisjes me viza për qytetarët e vendeve të BE, deri në heqjen përfundimtare të dyanshme.
"Nga sistemi i sipërpërmendur të bëjnë përjashtim qytetaret e vendeve të Bashkimit Europian me kombësi shqiptare", pohon lidhur me një fakt të tillë, administratori i Kofindustrias, Gjergj Buxhuku.
Sipas tij, Konfindustria detyrohet të paraqesë këtë kërkesë nisur nga shqetësimet e vazhdueshme të industrive vendore për vështirësitë në pajisjen me viza udhëtimi për arsye pune të personelit të tyre për në vendet e Bashkimit Europian, që kanë shkaktuar mjaft probleme dhe kosto shtesë dhe kur dihet se shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë mbi 80% të totalit të tregtisë së Shqipërisë.
Arsye tjetër në paraqitjen e kërkesës së vendosjes së reciprocitetit të sistemit të vizave me vendet e Bashkimit Europian është edhe vendimi i korrikut 2009 të Brukselit për të lënë në rradhën e fundit Shqipërinë krahësimisht vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.
"Konfindustria, në kërkesën e saj për vendosjen e reciprocitetit të sistemit të vizave Shqipëri-Bashkimi Europian ka parasysh edhe përvojën e ndjekur nga vende të tjera të rajonit, që sot janë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian", shton më tej Buxhuku.
n.e/NOA