Krujë, 31 Korrik NOA - Policia antidrogë duket se e ka marrë shumë seriozisht çështjen e luftës ndaj kultivimit të marihuanës, sepse në operacionet e saj më të fundit po përpiqet të inkuadrojë mjete më të sofistikuara.
Gjatë orëve të mbrëmjes së enjte dhe orëve të para të ditës së sotme (e Premte), agjentët e sektorit antidrogë, të ndihmuar edhe nga prozhektorë ndriçues, kanë arritur të lokalizojnë dhe bllokojnë katër parcela me lëndë narkotike.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se aksioni erdhi në kuadër të operacionit të koduar "Sakarriq Qerrish", në zbatim të Planit të Masave të hartuar për parandalimin, zbulimin e asgjësimin e bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre veprave penale.
Efektivat e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës thanë se e kryen aksionin, në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Krujës, duke bërë të mundur zbulimin e parcelave me hashash, në zonën e malësisë së Krujës.
"Ne arritëm të zbulojmë në fshatrat Mafsheq, Shkrel, Shqeze dhe Sakarriq, katër parcela të mbjella me bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa", - konfirmoi policia.
Ajo shtoi se pas përpilimit të dokumentacionit përkatës u bë asgjësimi në vend i 3 701 rrënjëve bimë narkotike, që u gjendën të gjitha, në tokë të pyllëzuar, pa pronarë.
Policia tha se po vazhdon puna për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e kësaj vepre penale që klasifikohet si kultivim i bimëve narkotike.
v.m/NOA