English

Parakalimi i gabuar, tjetër aksident në autostradën Durrës-Tiranë

Durrës, 31 Korrik NOA - Një tjetër aksident është shënuar në autostradën që lidh Durrësin me Tiranën, e cila vetëm në këto 6 ditët e fundit ka shkaktuar rreth dhjetë të vdekur e mbi 15 të plagosur.

Në orën 19.15 të mbrëmjes së djeshme, në vendin e quajtur Kodër Arapaj, në aksin rrugor Durrës-Tirane janë përplasur dy automjete me pasojë plagosjen e dy personave një prej të cilëve po lufton me vdekjen në spital.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se automjeti i markës "BMW", me targa të huaja BJ599JW me drejtues 34-vjeçarin Astrit Mema, banues në Shkallnuer u përplas me automjetin e markës "Ford", edhe ky me targa të huaja, SAD045145 me drejtues 27-vjeçarin nga Tirana, Alfred Bardhi.

Si pasojë e kësaj përplasjeje kanë marrë plagë të ndryshme në trup dhe në kokë, që të dy drejtuesit e mjeteve.

Emigranti i ri nga kryeqyteti, Alfred Bardhi, pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar nga spitali në orët e para të ditës së sotme (e Premte).

Por 34-vjeçari gjithashtu emigrant, Astrit Mema vazhdon të marrë ndihmë mjekësore pasi gjendja e tij është e rëndë, pohuan burimet spitalore në Durrës.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe konkludoi se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimi i gabuar nga ana e drejtuesit të BMW-së, Astrit Mema.

Ndaj policia tha se për të riun Mema, ka vendosur të fillojë procedimin penal në gjendje të lirë për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

a.a./e.n/NOA

Lexoni mbi aksidentin e mëparshëm: Përgjaket unaza e Peqinit, një i vdekur dhe 4 të plagosur

Komentoni lajmin e ditës në fund të shkrimit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE