Shkodër, 31 korrik, NOA - Eshtë përgjakur para pak minutash autostrada e Veriut, nga një aksident fatal, i cili sipas të dhënave paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, ka marrë jetën e 3 personave.
Burimet policore të cilat sapo kanë mbërritur në vendngjarje, pohojnë se aksidenti fatal ka ndodhur në segmentin rrugor Lezhë-Shkodër dhe i shtohet listës së gjatë të atyre që janë shënuar në të ashtuquajturën "autostrada e vdekjes".
Ata ende nuk janë në gjendje të deklarojnë identitetin e personave që kanë humbur jetën, ku mes tyre ka qenë një burrë dhe një grua, por pohojnë se shkaku i aksidentit ka qenë përplasja e një makine me një kamion dhe shoferi i këtij të fundit ka mbetut i plagosur, duke u shoqëruar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Ngjarja ka tronditur autoritetet e Policisë Rrugpre, e cila ditët e fundit ka konstatuar një numër të lartë aksidentesh rrugore dhe viktimash të shkaktuara prej tyre.
Në këtë kuadër, ajo ka ndërmarrë aksione të fuqishme me postblloqe për parandalimin e tyre, përmes kontrolleve të shumta ndaj drejtuesve dhe ndëshkimit të tyre me masa të forta administrative në rastin e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
n.e/NOA