Tiranë, 31 Korrik NOA Update/Korrigjim - I riu i cili pasditen e sotme u qëllua me armë zjarri pranë pishinave të Akuadromit në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, ndodhet në gjendje koma në Spitalin Ushtarak.
Burime nga Komisariati nr 2 i Policisë së kryeqytetit i thanë para pak minutash agjencisë së lajmeve NOA, se 23-vjeçari Maringlen Cani, lindur e banues në Tiranë, humbi jetën për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë, por në spital, mjekët thanë se ai ndodhet në gjendje koma.
Mjekët, kanë konfirmuar se i ndjeri kishte marrë plagë në këmbë. Ai edhe pasi mbërriti në urgjencën spitalore, vazhdonte të kishte hemorragji.
Ndërkohë, po kërkohet një djalë i ri, i cili nga të dhënat paraprake të grupit hetimor që kreu kërkime në vendngjarje, rezulton të jetë larguar me shpejtësi, në timonin e një makine luksoze tip "Range Rover".
Burimet e grupit hetimor, thanë për agjencinë e lajmeve NOA se, dy djemtë, viktima dhe autori që është shpallur në kërkim, kanë qenë në brendësi të Akuadromit dhe janë zënë te pishinat.
Në gjaknxehtësi e sipër kanë dalë nga pishinat dhe afër tyre, kanë nisur një konflikt edhe më të fortë, me pasoja fatale.
Nga hetimet e para, rezulton se autori i krimit, është grindur fillimisht me Canin duke i thënë se po i ngacmonte gruan dhe më pas, sherri degjeneroi në ngjarjen e rëndë.
Autori, ka nxjerrë një pistoletë me të cilën e ka qëlluar 23-vjeçarin Mariglen Cani dhe e ka plagosur rëndë.
Menjëherë më pas, i ka hipur makinës dhe është zhdukur nga vendi i ngjarjes.
/a.k/e.l/NOA/
Â