English

Prioritetet e përmbysura

Materializimet e njohjeve të deritanishme përmes marrëveshjeve bilaterale janë më të rëndësishme sesa rritja e numrit të shteteve që na njohën. Deri tani, nuk duket se përfituam më shumë se sa shkëmbim simbolik ambasadash dhe vende pune për personelet e ambasadave tona me t'njofshmit e krerëve politikë

Nga Albin Kurti

Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë punojnë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Serbisë e cila Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë. Në nenin 114 të Kushtetutës së Serbisë ndodhet teksti i betimit të kryetarit që e thotë këtë gjë, ndërkaq neni 182 e quan Kosovën krahinë autonome sikurse Vojvodinën. Qeveria e Kosovës jo që nuk e ka pasur për prioritet luftimin e këtyre strukturave, porse duket që e ka pasur për parim pikërisht mosluftimin e tyre. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që nga 117 zyrtarët e lartë politikë të Serbisë në Kosovë nuk u akuzua e as arrestua asnjëherë asnjëri prej tyre. Thuajse qeveria e Kosovës ishte e kënaqur që Serbia nuk e sulmoi nga jashtë Kosovën, pasi që kjo e shpalli pavarësinë dhe disi ishte e gatshme që të toleronte sulmet e saj nga brenda. Serbia ka bërë dhe vazhdon të bëjë obstruksione edhe në Malin e Zi ku së paku çereku i popullatës deklarohen për serbë. Mirëpo, janë dy dallime thelbësore që e bëjnë më të rëndë situatën e Kosovës. Së pari, Kosova nuk është sovrane. ICO-ja dhe EULEX-i kanë fuqi ekzekutive mbi institucionet e Republikës së Kosovës por jo edhe mbi strukturat paralele të Serbisë. Pra, paradoksalisht, niveli i strukturave të Serbisë na del më i lartë sesa i institucioneve vendore të Kosovës së pavarur. Komisioni Evropian mund ta pengojë bashkimin e kompanive në vendet e BE-së nëse beson që kjo mund të çojë te konkurrenca jolojale, por edhe kujdeset që vendet e BE-së të mos e dëmtojnë konkurrencën përmes subvencioneve të tepruara të industrive të tyre. Qeveria e Kosovës ka më pak kompetenca për Kosovën se sa që Komisioni Evropian ka për BE-në. BE-ja nuk është shtet, por është më shtet se Kosova. Ajo kushtëzohet nga baza dhe jo edhe nga ndonjë instancë sipër saj sikurse që është rasti me Kosovën. 60% e ligjeve të Suedisë janë marrur e miratuar në Bruksel. Asnjë ligj në Kosovë nuk kalon pa pasur vizën paraprake të Brukselit e Washingtonit, përkatësisht të njerëzve të tyre në Prishtinë. Përfundimisht, kur një vend anëtarësohet në BE, ai delegon më shumë sovranitet sesa që Kosova ka tashmë. Së dyti, serbët në Malin e Zi sado që shkaktojnë kokëçarje të mëdha, ata nuk kanë arritur ta territorializojnë praninë dhe ndikimin e tyre politik. Serbia ndonëse i orienton çerekun e popullatës së Malit të Zi, nuk kontrollon fare territor aty, kurse në Kosovë ndonëse dirigjon me vetëm 5% të popullatës, arrin të kontrollojë çerekun e territorit. Koha nuk po punon për neve. Sa më gjatë që veriu dhe enklavat mbesin të ndara, aq më vështirë do të jetë që ato të mos përfundojnë të ndara. Është vetëm çështje kohe që s'matet me vite kur do të fillojnë të na vijnë politikanë e diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe emisarë specialë për dialog e bisedime të reja, funksioni kryesor i të cilave do të jetë formalizimi i ndarjes së brendshme të Kosovës. Kalimi i kohës është faktor që e bën ndarjen të duket e paevitueshme, sado e padrejtë të jetë kjo. Kësisoj, situata në Kosovë na del më e ngjashme me Bosnjen dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm që sidomos finalen të mos e kemi sipas modelit boshnjak. Slobodan Milosheviqi e pat pranuar Bosnjen jashtë Serbisë vetëm atëherë kur Alija Izetbegoviqi në Dayton e ka pranuar Serbinë brenda Bosnjes - krijesën e quajtur Republika Srpska. Edhe Boris Tadiqi e dëshiron të njëjtën gjë, vetëm se kësaj radhe në Kosovë. Ai dëshiron ta përsërisë në Kosovë suksesin që Milosheviqi pati në Bosnje: të mos e pranojë Republikën e Kosovës jashtë Serbisë deri atëherë kur Kosova do ta pranojë Serbinë brenda vetes. Mirëpo, përveçqë integriteti territorial i vendit nuk ishte prioritet në agjendën qeveritare, po ashtu nuk mund të thuhet se i tillë ka qenë zhvillimi ekonomik e shoqëror. Është investuar në godina shkollore dhe fibra optikë për internet, por jo në arsimim të arsimtarëve dhe as në zhvendosjen e edukimit prej mbamendjes te logjika e refleksioni. Është investuar në asfalt dhe ura, porse jo edhe që kamionët që do të qarkullojnë në atë asfalt e në ato ura, të jenë duke bartur prodhime vendore. Është investuar për njerëzit më parë se në njerëz. Dhe, mbi të gjitha, është investuar për syrin e kamerës: përdorimi i ndërtimeve niste (dhe nuk mbetej me kaq) si përdorim i imazheve televizive të ndërtimeve. Nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë Kosova u pranua vetëm në institucionet ndërkombëtare financiare, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat shumë më tepër kërkojnë se sa që japin. Ato ndikojnë aq shumë në politikat e brendshme ekonomike të Kosovës, duke i kërkuar asaj shlyerje borxhesh nga koha e ish Jugosllavisë, dhe duke ia përcaktuar alokimet buxhetore, ndërkohë që ndikimi i Kosovës si anëtare në vendimmarrjen e këtyre institucioneve është i papërfillshëm. Gjithsesi bëhet fjalë për pazar: korporatat e huaja i marrin pasuritë e Kosovës për t'i shfrytëzuar, kurse Qeveria e Kosovës e merr në dorë shtetin e Kosovës karshi popullit të saj që duhet mbajtur nën fre. Atëherë, cili ka qenë apo është prioriteti kryesor qeveritar? Në maje të agjendës së qeverisë për Kosovën vazhdon të jetë çështja e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë (mbase drejt inkuadrimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare). Por, meqenëse organizmat ndërkombëtarë pranojnë anëtarë të rinj zakonisht me konsensus, dhe duke pasur parasysh që Kosova po njihet veçse nga shtetet ku kanë ndikim faktorët botërorë që na njohën në dy javët e para të pavarësisë, ne duhet të fokusohemi në ndihmat dhe përkrahjet e vendeve të veçanta që na pranuan. Materializimet e njohjeve të deritanishme përmes marrëveshjeve bilaterale janë më të rëndësishme sesa rritja e numrit të shteteve që na njohën. Deri më tash, nuk duket se përfituam më shumë se sa shkëmbim simbolik ambasadash dhe vende pune për personelet e ambasadave tona me t'njofshmit e krerëve politikë. Që të përfitojë popullata duhet të hulumtojmë se cili nga këto shtetet që na kanë njohur mund të na japë farëra për bujqësinë, cili pleh artificial për bujqit tanë, cili mund të na mundësojë aparate të shëndetësisë etj. Pra, jo vetëm që prioritet duhet të jenë marrja e sovranitetit dhe integriteti territorial në njërën anë, kurse zhvillimi ekonomik e shoqëror, në anën tjetër, dhe këto para njohjeve të pavarësisë, porse edhe te çështja e njohjeve, materializimi i njohjeve aktuale duhet të qëndrojë më lartë sesa gjurmimi për njohje të reja.

Komentoni opinion e Albin Kurtit / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit

KOMENTE