English

Berisha premton sërish: Investimet e reja për Vlorën, sa 20 vitet e shkuara së bashku

Vlorë, 1 gusht NOA - Zgjedhjet kanë mbaruar, por kryeministri nuk resht së premtuari, duke ofruar çdo ditë surpriza të rralla paselektorale.

Një ditë më parë, Berisha bëri premtimin që zor se mund ta realizojë se "do të përurojmë katër vitet e ardhshme, çdo javë nga një nisje punimesh".

Këtë radhë, premtimi i fortë ishte në qytetin e Vlorës, që ishte pikënisja e protestave që e rrëzuan Berishën në vitin 1997 kur ishte Presidenti dhe vendi degjeneroi në kaos si pasojë e papërgjegjshmërisë shtetërore dhe anarshisë që pasoi në radhët e shumë shqiptarëve.

"Vlora do të njohë zhvillimet më të mëdha në katër vitet e ardhshme", tha Berisha, duke siguruar se "në këtë rreth do të investohen më shumë se 20 vitet e shkuara".

Kryeministri pohoi se Vlora turistike është një nga potencialet më të mëdha të këtij rrethi, por edhe të mbarë Shqipërisë.

Ai tha se me ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e bregdetit Jon, kushtet për turizmin bëhen gjithmonë e më të mira e më të lakmueshme.

"Një nga drejtimet kryesore në këto katër vite do të jetë punësimi i qytetarëve shqiptarë. Vetëm në portin e Vlorës, kontrata për të cilin do të firmoset gjatë këtyre dy muajve që do të vijnë, si dhe në parkun industrial të saj, do të punësohen me dhjetëra e mijëra qytetarë", - lajmëroi kryeministri.

"Kështu ne do të vazhdojmë të festojmë fitoren jo me fjalë, por me inaugurimin e rrugëve, ujësjellësve, shkolla, qendrave shëndetësore, të plantacioneve të ullinjve, vreshtave deri në qershorin e vitit 2013, muaj në të cilin ne do të shënojmë fitore tjetër të madhe, të cilën ne e meritojmë. Ne e ndërtojmë fitoren mbi veprat tona, mbi premtimet dhe fjalët tona", - siguroi Kryeministri Berisha, ndërsa inauguroi dje pasdite fillimin e punimeve për konstruksionin e rrugës Peshkëpi-Ura e Drashovicës, në Vlorë.

Ky investim realizohet me fondet e buxhetit të shtetit me vlerë rreth 87.22 milionë lekë. Projekti i saj përfshin sistemimin dhe asfaltimin e rrugës me gjerësi 6 metra në të gjithë trajektoren dhe ndërtimin e trotuareve në të dyja anët e saj.

Kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale duke u krijuar atyre kushte dhe shërbime të njëjta me lagjet e qyteteve dhe duke mbështetur dhe nxitur prodhimin e fermerëve.

Një tjetër aspekt ku do të mbështetet fuqishëm qeveria tha Kryeministri Berisha është turizmi. "Me ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e bregdetit Jon kushtet për turizmin bëhen gjithmonë e më të mira dhe më të lakmueshme. Ne jemi të vendosur që brenda vitit 2010 të kemi përfunduar tërësisht asfaltimin e të gjitha rrugëve, rrugicave të fshatrave në të gjithë zonën turistike."- u shpreh Kryeministri.

/m.m/k.k/NOA/

KOMENTE