Tiranë, 1 gusht, NOA - Merr fund "maratona" zgjedhore. Pas katër javë debatesh dhe kundërshtish mbi rezultatin e vërtetë të procesit të 28 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot listën e mandateve përfundimtare mbi këtë proces zgjedhor.
Shpallja e tyre në fakt, po bëhet gati një muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve për shkak të vonesave që shkaktoi procesi i numërimit të votave, por edhe ai i ankimimeve të partive të ndryshme politike, të cilat u shqyrtuan së pari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas nga Kolegji Zgjedhor.
Sipas të dhënave që u publikuan pak ditë më parë, koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" ka marrë 70 mandate, koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka marrë 66 mandate, ndërsa koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim", 4 mandate. n.e/NOA