Tiranë, 1 gusht, NOA - Për herë të parë, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të dijë jo vetëm sa pasuri kanë pushtetarët që drejtojnë atë, por edhe familjarët e tyre. Kjo ka qenë risia e deklaratave të pasurisë për vitin 2008, të bëra publike nga ana e Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive.
Ajo që bie në sy dhe ngjall interes, është pasuria e familjes së kryeministrit Berisha, deklarata e cila shoqërohet këtë radhë edhe me atë të dy fëmijëve të tij, Argita dhe Shkëlzeni.
Që të dy, paraqiten me paga të larta në profesionet që kanë, përfitime të larta me mijëra euro për konsulenca financiare, duke shtuar shitje-blerje makinash etj.
Vetë kryeministri ka deklaruar pagën e tij si kryeministër dhe një llogari kursimi modeste, justifikuar me kursimet nga rroga. Sikundër, ka deklaruar edhe pagën e së shoqes, si mjeke në një qendër shëndetësore, si të ardhur në familjen e tij.
Ndër deklaratat e politikanëve kryesorë, bie në sy edhe ajo e Presidentit Bamir Topi, i cili është ndër të vetmit që deklaron shuma të larta përfitimi nën argumentimin "lënë me testament nga babai". Ai shton në të edhe të ardhurat e pagës së bashkëshortes së tij, si punonjëse në ministri. Por presidenti në deklaratën e tij përmend edhe detyrimet që ka, si përshembull, pagesa prej 4 mijë euro për studimet e vajzës.
Një detyrim të tillë në fakt, e ka edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila ka bërë me dijeni në deklaratën e saj të pasurisë se paguan 1 milionë lekë nga paga e saj si kryeparlamentare shkollën e vajzës në Strasburg. Ndërkaq, ajo ka deklaruar ndër të tjera se vitin e kaluar ka blerë edhe një shtëpi në Shëngjin, ndërsa përmend me disa mijëra euro të ardhurat nga profesioni i bashkëshortit për familjen e saj.
Një deklaratë tjetër ka qenë edhe ajo e bërë nga ish-kryeministri Fatos Nano, brenda së cilës ka qenë përfshirë edhe ajo e bashkëshortes së tij Xhoana Nano, ku tregohet se si gjatë vitit të kaluar, edhe pse ka qenë jashtë politikë dhe me asnjë aktivitete privat të regjistruar, ai ka blerë dy apartamente në plazh deri në 198 mijë euro.
Ndërkaq, në radhën e gjatë të 500 deklaratave të zyrtarëve të lartë, ajo që bie në sy është edhe deklarata e pasurisë e kryebashkiakut Edi Rama, i cili ka paraqitur si zë të ardhurash, vetëm rrogën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, me 1.8 milionë lekë dhe asnjë lloj tjetër të ardhure.
n.e/NOA