Tiranë, 1 gusht NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar sot një mesazh ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer.
"I nderuar zoti de Hoop Scheffer, më lejoni t'ju shpreh konsideratën e lartë për kontributin tuaj të çmuar në gjirin e Aleancës së Atlantikut të Veriut gjatë kohës që ju ishit në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj organizate. Me këtë rast, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, dëshiroj t'ju përcjell, veçanërisht, vlerësimin e lartë dhe mirënjohjen e sinqertë për rolin tuaj të rëndësishëm në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në partneritetin euroatlantik" thuhej në mesazhin që presidenti Topi i ka dërguar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
"Ne jemi të nderuar të jemi pjesë e të kontribuojmë maksimalisht në këtë Aleancë, karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit nën vlera e objektiva të përbashkëta në mbrojtje të lirisë, paqes dhe stabilitetit afatgjatë global. Duke ju shprehur edhe një herë falënderimet më të përzemërta dhe me urimet më të mira për shëndetin e lumturinë tuaj e familjes suaj" përfundon mesazhi i Topit, drejtuar Shefer.
k.k/NOA