English

PS sfidon Berishën: Harroje ligjin për martesat gay, nuk e votojmë

Tiranë, 1 gusht NOA - Partia Socialiste shprehu pasditen e sotme qëndrimin e saj zyrtar kundër martesave në gjini, duke rrëzuar kështu projektin "Berisha".

Deputeti i kësaj partie, më e madhja e opozitës, Eduard Shalsi tha sot se ligji për martesat gay, është i panevojshëm dhe i papërshtatshëm për Shqipërinë.

"Ligji i homoseksualëve, krejt i panevojshëm e i papërshtatshëm për këtë kohë në Shqipëri, kur ne kemi prioritete të tjera shumë më shumë të rëndësishme", - deklaroi Shalsi, duke paralajmëruar se një ligj i tillë as që do të merrej mundimi të votohej në Kuvend.

Por në këtë mënyrë, ligji pëson fatin e dështimit sepse ai nuk mund të miratohet pa pasur 84 ndër 140 vota pse tre të pestat e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Kështu ligji për martesat gay bëhet i pari që sfidon qeverinë e brishtë të Berishës. Duke mos dhënë asnjë nga 66 votat e saj, PS bllokon kështu kalimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të gjerë.

Duke folur pikërisht për lëvizjet e fundit të qeverisë "Berisha", Shalsi po ashtu u shpreh sot se "me të njëjtin stil bajat Sali Berisha vijon turin e tij të çoroditur nëpër Shqipëri duke folur tashmë për 2013, e duke dashur të bëj shqiptarët të harrojnë se ç'ndodhi në 28 qershor".

Shalsi e akuzoi Berishën se ai, "i kompleksuar nga situata aspak normale, i pafuqishëm për të pranuar të vërtetat në kushtet e një krize politike e ekonomike, nëpër të cilën po kalon vendi, i paaftë për tu përballur me sfidat, që qeveria e tij e dështuar nuk mund e nuk do t'i zgjidhë, nuk mundet as të gëlltisë dështimin e tij të plotë për organizimin e zgjedhjeve të drejta të 28 qershorit".

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës dhe deputet i PS, Shalsi, e paralajmëroi Berishën se "as ligji i homoseksualëve, e as tentativat apo orvatjet e tij të dëshpëruara me gërshërë inaugurimesh nëpër duar, nuk mund të largojë vëmendjen e shqiptarëve nga kërkimi i të vërtetës së madhe se ç'ngjau në 28 qershor".

***

Aurela Anastasi, drejtore e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sqaron anën ligjore të çështjes, ka deklaruar se martesat brenda gjinisë në Shqipëri nuk mund të kryhen edhe nëse për këtë ka mbërritur ose do të mbërrijë një projektligj ku të jetë përfshirë një gjë e tillë, sepse e pengon Kodi Shqiptar i Familjes.

"Nuk ka një pikë në draftin e përgatitur nga organizatat për të drejtat e njeriut në vend, ku të kërkohet legjitimimi i martesave mes homoseksualëve meshkuj apo femra, por edhe nëse do të kishte një të tillë, ky ligj nuk do të mund të kalonte për miratim në Parlament, pasi më parë, do të duhej të ndryshohej Kodi i Familjes dhe ky ndryshim bëhet vetëm me shumicën prej 84 votash".

Në të vërtetë, Kodi i Familjes, përcakton se martesë konsiderohet ai veprim që kryhet mes mashkullit dhe femrës.

Në këtë mënyrë, përjashtohet ligjërisht që të funksionojnë qoftë dhe me një ligj shtesë, martesat brenda gjinisë.

"Për të arritur një gjë të tillë, nuk është e mundur sepse para se të kalojë një projektligj që të ketë të inkuadruar si nen edhe martesat brenda gjinisë, duhet që më parë, të bëhet ndryshimi i Kodit Shqiptar të Familjes, dhe një gjë e tillë, kërkon shumicë të fortë në Kuvend, gjë që vështirëson shumë këtë lëvizje", tha dje, Anastasi.

Në fakt, një projektligj si ai i përgatitur nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që ka si emërtesë dhe si objekt, luftën ndaj diskriminimit të minoriteteve, mund të kalohet në Parlament për votim, vetëm nëse nuk ka të përfshirë si nen, martesën brenda gjinisë dhe mund të ligjërohet thjeshtë duke marrë 36 vota ose 50 për qind + 1 të deputetëve të pranishëm në sallë, që në rast votim projektligjesh duhet të jenë jo më pak se 71, pra pak më shumë se gjysma e deputetëve.

Në të kundërt, ai bie ndesh me Kodin e Familjes. Dhe për të bërë ndryshime në Kodin e Familjes, pra të inkuadrosh në të se martesa nuk ka më kuptimin ligjor kur realizohet mes mashkullit dhe femrës por edhe mes dy meshkujve apo mes dy femrave, kërkohet nismë e re ligjore, e cila për të marrë fuqi ligjore duhet të miratohet nga jo më pak se 84 ndër 140 deputetët e Kuvendit shqiptar.

Sakaq, hedhja në "treg" e mundësisë së martesave gay, pak ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha, shihet nga organizatat jofitimprurëse më së paku si një lajthitje e Berishës dhe më së shumti si një tallje ose mashtrim.

Drejtuesit e OJF-ve që janë marrë pikërisht me projektligjin që Berisha dje tha se ka mbërritur në Parlament, kanë pohuar se në draft nuk gjendet asnjë rresht ku të kërkohet me ligj, pranimi i martesave homoseksuale.

"Ne jemi iniciatorë të projektligjit kundër diskriminimit të minoriteteve të caktuara. Në draftin që ne kemi paraqitur dhe që i plotë do t'i shkojë për miratim Parlamentit, nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi ndërmend të kërkojmë që të ligjërohen martesat brenda gjinisë", deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA, Elsa Ballauri, kryetare e Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Duke dashur të theksojë këtë fakt, zonja Ballauri e cila gjendet për momentin jashtë Shqipërisë, tha se "ne e konsiderojmë të papërshtatshme për Shqipërinë që të ketë martesa të homoseksualëve".

***

Reagime sakaq kanë ardhur nga komunitetet fetare. Selim Muça, kryetar i Bashkësisë Islame - Komuniteti Mysliman Shqiptar, tha se një iniciativë e tillë, është e papranueshme dhe ajo nuk duhet të kalojë për ligjërim në Parlament.

"Kurani e ndalon në mënyrë kategorike mundësinë e martesave homoseksuale, jo më kot janë krijuar femra dhe mashkulli, për t'u bashkuar mes tyre dhe për të siguruar vazhdimësinë e njerëzimit", ka pohuar Selim Muça.

Me të njëjtin argument kanë dalë edhe drejtues të komunitetit katolik dhe ortodoks në vendin tonë, duke dënuar mundësinë e ligjërimit të martesave gay.

***

Këto reagime të forta erdhën pasi të mërkurën, kryeministri Sali Berisha, duke folur në Komitetin Ndërministror për Integrimin i cili miratoi plan veprimin për dialogun e liberalizimit të vizave, tha se një ligj tjetër shumë i rëndësishëm është ai kundër diskriminimit.

Kryeministri pohoi se ky ligj është përgatitur dhe ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara.

Berisha tha se mbetet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato.

Kurse dha mendimin personal se "pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm".

Këtu kryeministri "spekuloi", kur tha se "ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre" dhe shtoi: "Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane".

Ndaj Berisha duke lajmëruar se ky ligj është në Parlament theksoi se ai "duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi".

Shpotitë e Berishës nuk kishin të sosur, kur me një gjuhë therëse paçka se të hollë dhe "qëndisur" kujdesshëm, atakoi persona publikë, kur tha: "Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar ti respektoj".

Dhe në përfundim të argumentit që hodhi, Berisha, tha: "Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Më mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin".

/a.k/e.n/b.a/NOA/

KOMENTE