Rreth 60 persona me aftësi të kufizuara u pajisën me karroca, krevate e mjete të tjera ndihmëse, si dhe me produkte të ndryshme ushqimore falë projektit të hartuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam
Tiranë, 1 gusht NOA - "Në mbështetje të njerëzve në nevojë" është projekti më i fundit që po zbatohet nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) për t'u ardhur në ndihmë njerëzve në kushte të vështira ekonomike, si dhe kategorisë së personave me aftësi të kufizuara.
Përfaqësues nga AIITC i thanë sot agjencisë së lajmeve NOA, se ky projekt u mundësua nga Shoqata Internacionale Humanitare (IHH) në bashkëpunim me Shoqatën Selaam, të cilat sjellin mjete ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara dhe kuti me produkte ushqimore për njerëzit në nevojë.
Projekti i realizuar nën kujdesin e AIITC, Shoqatës Kulturore GRUAJA, Shoqatës së personave me aftësi të kufizuar, Shoqatës së Fëmijëve të Shqipërisë u kurorëzua me një ceremoni, e cila u mbajt më dt. 01.08.2009, ora 10, tek Shoqata e Invalidëve Para & Tetraplegjikë, dega e Tiranës.
Në ceremoninë e rastit të mbajtur përpara shpërndarjes së ndihmave përshëndetën të pranishmit, drejtuesit e shoqatave humanitare dhe donatorët, si: Dr. Ramiz Zekaj, drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), Dr. Zeliha Vuran, menaxhere e projektit të shëndetit në Shoqatën Internacionale Humanitare (IHH), si dhe Idris Aliu drejtues i shoqatës Selaam.
Në fjalën e tyre ata theksuan se ndihmat ndaj kategorisë së personave me aftësi të kufizuara do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme me të tjera mjete që mund të përmirësojnë sadopak jetesën e tyre.
Ata bënë thirrje gjithashtu që kësaj nisme t'i bashkëngjiten edhe shoqata të tjera, si dhe persona të cilët kanë mundësi të japin kontributin e tyre në këtë aspekt.
Këtë aktivitet e nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues e drejtues të shoqatave të ndryshme sociale e humanitare në Shqipëri, si: Dr. Ali Ozgun Ozturk, drejtori i Organizatës Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), Rasim Hasanaj, kryetar i Komitetit të Kulteve në Shqipëri, etj.
Numri i personave që u pajisen me ndihma humanitare ishte rreth 60, të gjithë këto ishin me statusin e invaliditetit dhe morën pajisje e mjete në përshtatshmëri me gjendjen e tyre shëndetësore.
Ata u pajisën me karroca me rrota, krevate invaliditeti për fjetje dhe për larje, pompa ajri, si dhe me një kuti ushqimore që përmbante produkte të llojeve të ndryshme.
***
Gëzim, lumturi dhe mirënjohje shprehej në sytë e këtyre njerëzve, të cilët përballen çdo ditë me ngurtësinë e indiferentizmit pa kufi, përveçse me problemet e tyre shëndetësore e pamundësinë për të bërë një jetë normale.
Ata vlerësuan maksimalisht shoqatat që bënë të mundur lehtësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe theksuan se ishte hera e parë që kategoria e tyre përkrahej pa paragjykime e dallime, por në varësi të nevojave të tyre.
Realisht, nevojat e tyre janë të pafundme dhe nëse të gjithë i bashkohen projektit "Në ndihmë të njerëzve në nevojë" jetesa e personave me aftësi të kufizuara do të ishte më e mirë dhe në standardet e duhura e të ngjashme me vendet e Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e AIITC-së thanë se projekti i tyre do të vijojë edhe më tej, duke ndihmuar edhe shtresa të tjera në nevojë në shoqërinë shqiptare.
/a.k/e.n/NOA/