Pasaporta e Serbisë do të jetë më pak e vlefshme për një kosovar, sesa për një boshnjak. Nëse Serbia dhe Kroacia mund të lëshojnë pasaporta në Bosnje, pse nuk mundet Shqipëria t'u japë pasaporta shqiptarëve të Kosovës? Dikush mund të fillojë ta parashtrojë edhe pyetjen: "Pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë në dy shtete?". Anomalitë burokratike mund të kenë pasoja të mëdha
Nga "Economist" Çdo verë, miliona të rinj eksplorojnë Europën duke i shfrytëzuar mundësitë e udhëtimit të lirë nëpër kontinent me trena dhe autobusë. Duke iu falënderuar marrëveshjes së re për heqjen e vizave, së shpejti në rrugicat e Barcelonës, ose në Shkallët Spanjolle në Romë, do të dëgjohen kitarat që do të vijnë prej pjesëve të ish-Jugosllavisë - por, ende jo nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Kjo gjendje është duke krijuar tensione politike. Për shumë vjet, vizat kanë qenë pikë neuralgjike në rajon. Prandaj, heqja e vizave për serbët, malazezët dhe maqedonasit, nga fillimi i vitit 2010, do të duhej të ishte lajm i mirë. Me hyrjen në fuqi, marrëveshja do t-iu mundësojë qytetarëve të këtyre shteteve qasje të lirë në zonën e Schengenit, që përbëhet prej 25 shteteve, përfshirë gati të gjithë anëtarët e rinj të BE-së, plus Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën. Para luftërave të viteve -90, jugosllavët nuk kishin nevojë për viza kur udhëtonin në Europë. Sot, thuhet se 70 për qind e studentëve të Universitetit të Beogradit asnjëherë nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit të tyre. Për një kohë të gjatë, ministrat e jashtëm të BE-së janë qortuar për këtë situatë nga kolegët e tyre ballkanas. Zakonisht, përgjigja ka qenë - sikur të varej kjo çështje prej nesh, çdo gjë do të ishte në rregull. Mirëpo, me këtë nuk pajtoheshin ministrat e brendshëm të BE-së, të frikësuar nga krimi i organizuar, trafikimi i drogës dhe i njerëzve. Kundërargumenti ishte se vështirë që kriminelët presin në radhë për viza, pasi ata mund t'i blejnë, apo t'i falsifikojnë ato, prandaj rregullorja e vizave i ndëshkon vetëm njerëzit e thjeshtë dhe biznesmenët e ndershëm. Për të arritur deri te heqja e vizave është dashur të bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe, hapi i parë i së cilës ka qenë futja në përdorim e pasaportave moderne biometrike. Sidoqoftë, jehona politike e këtij vendimi ka filluar të ndihet menjëherë. Në Ballkan, vizat dhe pasaportat nuk janë një teknikalitet i thjeshtë, por çështje e politikës së lartë. Prandaj, vendimi i komisionit do të thotë se boshnjakët, shqiptarët dhe kosovarët e përjetojnë këtë si margjinalizim. Një hidhërim i veçantë ekziston brenda Bosnjës. Boshnjakët (myslimanët e Bosnjës) nuk mund të udhëtojnë të lirë, për dallim prej kroatëve të Bosnjës, të cilët i kanë shfrytëzuar për një kohë të gjatë pasaportat e Kroacisë, të cilave vizat u janë hequr vite më parë. Serbët e Bosnjës mund të aplikojnë me shumicë për pasaporta të Serbisë. E gjithë kjo e dobëson shtetësinë fragjile të Bosnjës. Boshnjakët thonë se është çmendurake që një i arratisur si Ratko Mladic, i akuzuar për vrasjen e rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, në vitin 1995, teorikisht tash mund të lëvizë i lirë me pasaportë të Serbisë, derisa të afërmit e viktimave nuk mund ta bëjnë këtë. Prapëseprapë, boshnjakët dhe shqiptarët e dinë se është vetëm çështje kohe kur edhe ata do të kualifikohen për heqjen e vizave. Por, jo edhe kosovarët, të cilët ende duhet të fillojnë të punojnë me BE-në për këtë proces. Çështjet komplikohen pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk mund t'u refuzojë kërkesat për pasaporta serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë aty. Mirëpo, si pjesë e marrëveshjes me Serbinë për heqjen e vizave, ata i përjashton BE-ja. Për këtë arsye, pasaporta e Serbisë do të jetë më pak e vlefshme për një kosovar, sesa për një boshnjak. Nëse Serbia dhe Kroacia mund të lëshojnë pasaporta në Bosnje, pse s-mundet Shqipëria t'u japë pasaporta shqiptarëve të Kosovës? Dikush mund të fillojë ta parashtrojë edhe pyetjen: "Pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë në dy shtete?". Anomalitë burokratike mund të kenë pasoja të mëdha.