Elbasan, 2 Gusht NOA - Policia e Elbasanit dyshon se i përket fija e flokut, hetohet për ngjarjen ku mbeti i vrarë para pak ditësh "Doda", ish-krahu i djathtë i drejtorit të Polciisë Edmond Koseni në vitet 1998-2001.
Gjykata e Rrethit të Elbasanit dha masën e sigurisë me burg për Shkëlzen Shkrepin 30 vjeç me banim në lagjen "Haxhias" në këtë qytet pasi është një nga të ndaluarit e dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen që i mori jetën 42-vjeçarit Roland Rexhepi.
Si provë materiale policia tha se ka bllokuar një fije floku e gjetur mes materialeve të sekuestruara ditën e ngjarjes.
Pas ngjarjes, policia ndaloi mjaft të dyshuar dhe mes tyre edhe Shkëlzen Shkrepin nga lagja "Haxhias" në Elbasan.
Sipas 30-vjeçarit, familjarëve të tij dhe avokatit mbrojtës ndalimi është i padrejtë. Ata kanë mohuar në mënyrë kategorike pjesëmarrjen e të riut në këtë vrasje dhe theksojnë se në valën e ndalimeve që policia kreu për gjetjen e autorëve të krimit, ndaloi edhe shumë të rinj që njihen si përdorues lindësh narkotike.
Pavarësisht deklarimeve të familjarëve dhe palës mbrojtëse, trupi gjykues dha masën e sigurisë së arrestit me burg për Shkëlzen Shkrepin i cili tashmë duhet të presë provat e ADN-së për të vërtetuar pafajësinë e tij.
Familjarët pohuan në gjykatë, se janë për vendosjen e drejtësisë dhe gjetjen e autorëve por theksuan se deri në zbardhjen e së vërtetës, ky veprim fut në keqkuptime dhe konflikt dy familje.