Fier, 2 Gusht NOA - Në komunën Ballagat të Qarkut të Fierit kanë nisur votimet sot për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës.
Zgjedhjet e pjesshme ishin përcaktuar në të vërtetë për në datën 29 korrik por një përllogaritje e gabuar bëri që data të ndryshojë.
Në orën 07.00 të ditës së sotme u çelën tetë qendra votimi për afro 2 400 zgjedhës të cilët do të japin votën e tyre për një nga dy emrat rivalë të dy forcave politike që marrin pjesë në garë.
Për Partinë Demokratike kandidon Sherbet Sharka, banor i zonës dhe për Partinë Socialiste, Neshat Sharka, po ashtu nga i njëjti vendbanim.
Zgjedhjet pritet të mbyllen në orën 19.00 të ditës së Diel dhe rezultatet jozyrtare do të publikohen rreth mesnatës.
Dekreti i Presidentit të Republikës për zgjedhje të pjesshme erdhi pas shkarkimit për abuzim me detyrën të kryekomunarit të mëparshëm, Fatos Sharka.
Gafa presidenciale
Presidenti, Bamir Topi lajmëroi përmes faqes zyrtare më 17 qershor 2009, caktimin e datës së zgjedhjeve në Komunën Ballagat, Qarku Fier, për "të dielën më 29 Korrik 2009".
Në të vërtetë, data e vendosur korrespondonte me ditë të mërkurë, por në dekretin e firmosur nga Topi, thuhej se zgjedhjet do të zhvillohen "ditën e diel më datë 29 korrik 2009".
Disa orë më vonë, Presidenca e zhduku dekretin dhe publikoi të nesërmen një tjetër kundërdekret, që fiksonte datën 2 Gusht 2009, si datë të re, për zgjedhjet e Ballagatit.
/e.n/e.l/NOA/ - Komentoni edhe ju këtë lajm / Klikoni këtu, për rregullat e përdorimit