English

Cila shoqëri civile?

"Kosovës sot nuk i duhet të formojë asnjë UÇK kundrejt pushteteve politike që i patëm prej vitit 1999 e këtej. Mjafton që ideja për liri, për media të lira, për zhvillim ekonomik, për zhvillim arsimor, për paga solide, për punësim korrekt, për rrymë, për ujë, për rrugë, për fatura, për veshje, për ushqim, për bujqësi dhe të tjera, të kthehen në lëvizje të mirëfillta për realizimin e atyre të drejtave dhe lirive qytetare"

Nga Skënder Limani*

Në Kosovë mungojnë lëvizje për liritë dhe për të drejtat qytetare. Në Kosovë kishte lëvizje qytetare para vitit 1999. Ato lëvizje e formuan erën dhe ideologjinë e të jetuarit të lirë në vendin tënd. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk u formua nga asnjë individ, grupe individësh ose edhe familje. UÇK nuk lindi as në fshat e as në mal. UÇK lindi si frymë për të drejtat dhe liritë qytetare, frymë e cila lindi në qytet, në Prishtinë. Â

Kosovës sot nuk i duhet të formojë asnjë UÇK kundrejt pushteteve politike që i patëm prej vitit 1999 e këtej. Mjafton që ideja për liri, për media të lira, për zhvillim ekonomik, për zhvillim arsimor, për paga solide, për punësim korrekt, për rrymë, për ujë, për rrugë, për fatura, për veshje, për ushqim, për bujqësi dhe të tjera, të kthehen në lëvizje të mirëfillta për realizimin e atyre të drejtave dhe lirive qytetare. Por, pas vitit 1999 e këtej, këto lëvizje nuk ndodhën e nuk po ndodhin. Ndërkohë (siç!), pozita politike, ekonomike dhe, përgjithësisht, shoqërore e Kosovës, tregon që ne kemi nevojë për to gjithnjë e më shumë.Â

Tashti, duke pasur parasysh që pushteti e ka interes të vetin primar që të mbijetoj sa më gjatë në një shoqëri, mundësisht, deri në pafundësi, dhe duke pasur parasysh që në këtë qëllim ajo gjen hapësira lakmie brenda në grupet qytetare ose në grupet e interesit për të promovuar politikat e saj qeverisëse në emër të krejt qytetarëve ose të popullit atëherë, në qenësinë e vet, roli i primar i lëvizjeve për të drejtat dhe liritë qytetare del të jetë arsimimi. Këto lëvizje zakonisht vijnë nga grupe qytetare të organizuara në organizata jashtë-qeverisëse, pra, joqeveritare (OJQ).Â

Kështu, këto organizata joqeveritare me automatizëm pozicionohen kundrejt pushtetit, më saktësisht, kundër formës, mënyrës dhe përmbajtjes së qeverisjes, gjithmonë për aq sa ajo është e dëmshme. Por, me kalimin e kohës, u bë e qartë që buxheti i këtyre organizatave shkonte kryesisht në arsimimin qytetar në atë që njihet si marrëdhënie etnike. Kështu, përderisa nuk kishte telashe ndëretnike në Kosovë, për ndërkombëtarët çdo gjë funksiononte dhe vazhdon të funksionojë për mrekulli.Â

Gradualisht, ditë pas dite, u pa që marrëdhëniet etnike në Kosovë nuk ishin të prishura. Gradualisht, u pa që korrupsioni qeveritar po mbulonte çdo hapësirë të jetesës në Kosovë, përfshirë edhe marrëdhëniet etnike.Â

Mënyra se si u fal projekti "Kosova e Re", mënyra se si po ngriten çmimet e ushqimeve për çdo ditë, mënyra se si po ngriten faturat, pra, mënyra se si kostoja e të jetuarit normalisht në Kosovë po shkon e po bëhet çdo ditë e më e lartë, pra, më e vështirë, po tregon që shoqëria civile e Kosovës dhe individë të saj duhet të ndërrojnë kursin e tyre në drejtim të zhvillimit të një jete normale në këtë vend, se marrëdhëniet etnike në Kosovë nuk ndikojnë në zhvillimin politik, ekonomik dhe social në vend, por është mënyra e gabuar e qeverisjes ajo që shkatërron esencën e të qenit njeri normal në këtë vend. Â

Në fillim, shoqëria civile e Kosovës dhe individë të saj u panë si promovuese dhe nxitëse të trajtimit të politikave dhe të qeverisjes së dëmshme për qytetarët e Kosovës, duke organizuar debate, forume, konferenca për shtyp, shkrime nëpër gazeta dhe të tjera të ngjashme. Lëvizja Vetëvendosje! ishte më e gjalla nga të gjitha këto organizime qytetare. Por, me kalimin e kohës, po shihet që kjo lëvizje po ka vështirësi të del nga korniza e programit politik dhe të sheh që është qeverisja e gabuar ajo që po e dëmton qytetarin e Kosovës, dhe me këtë, duke na e sjell ujkun në torishtë, e jo Serbia. Ndërsa, individët e shoqërisë civile u dorëzua qysh pas betejës së parë për pushtet qytetar.Â

Pas dështimit të këtyre lëvizjeve të organizuara qytetare dhe individuale për të ndalur qeverisjen e korruptuar në Kosovë, ajo që njihet si shoqëri civile në Kosovë, u pasivizua e tëra. Për të bërë këtë argument edhe më të fortë është mënyra se si kjo shoqëri civile dhe individë të saj u sollën kundër mospërfshirjes së Kosovës nga ana e BE-së në liberalizimin e vizave. Ata u tubuan, e shkruan dhe e lexuan një letër dhe asgjë më shumë. S'ka lëvizje, s'ka veprim, s'ka demonstrim as kundër korrupsionit në Kosovë e as kundër mospërfshirje së Kosovës në liberalizimin e vizave.Â

Në këtë mënyrë, lëvizjet e ndryshme qytetare, organizatat joqeveritare dhe individë të shoqërisë civile në Kosovë u kthyen në dëmtues të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Dua të them, në krejt këto pështjellime sociale, ekonomike dhe politike, shoqëria civile shkruan, organizon debate e forume mediale dhe dërgon letra e nota proteste të ashpra. Kështu, lëvizjet qytetare, organizatat joqeveritare dhe individët e saj duket se e harrojnë arsyen pse financohen në momentin kur i marrin paratë në kontot e tyre.Â

(*) Specialist i Komunikimeve

KOMENTE