Himarë, 3 gusht NOA - Kryeministri, Sali Berisha, në vijim të vizitës së tij në fshatrat e bregut të Jonit, inaguroi sot sheshin "Petro Marko", në qendër të fshatit Dhërmi. Investimi në këtë shesh kap shifrën prej 7 milionë lekë dhe përfshin shtrimin e 1150 metrave katrorë kalldrëme të qëndrueshme, sistemin e largimit të ujërave të shiut, ndriçimin e plotë të sheshit dhe të shkallëve që të çojnë në të, si dhe rikonstruksionin e 150 metrave katrorë të veshjes me pllaka të sheshit.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë në ndërtimin e këtij sheshi, duke e konsideruar të rëndësishëm, jo vetëm për infrastrukturën e brendshme të Dhërmiut, por edhe me ndikim në potencialet turistike të këtij fshati.
Duke u ndalur para shtëpisë së shkrimtarit të njohur Petro Marko, kryeministri theksoi që kjo shtëpi duhet të kthehet në shtëpi muze.
"Petro Marko është një kapiten i vërtetë i letrave shqiptare. Por jo vetëm kaq. Ai ishte një burrë që e deshi lirinë dhe ishte i vendosur të bënte çdo sakrificë për të. Aq sa duhet të bënte një njeri për lirinë, Petro Marko e bëri gjatë gjithë jetës së tij. U gëzova kur mora vesh se Qarku e ka nderuar me titullin "Nderi i Qarkut". Por në të vërtetë ai është nderi i kombit. Ndaj dhe Ministria e Kulturës do të marrë përsipër gjatë vitit që vjen të rindërtojë shtëpinë muze të tij, sikundër të hapë një konkurs për të derdhur në bronz bustin e shkrimtarit të madh, një nga burrat më të shquar të mendimit shqiptar dhe një luftëtar i paepur i lirisë që në vitet e rinisë" tha Berisha.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet edhe për një tjetër personalitet të kësaj zone, Spiro Çomorrën.
"Spiro Çomorra ka qenë një intelektual me shpirt të pamposhtur, i cili ka lënë vendit ndër krijimet më të bukura" u shpreh kryeministri Berisha.
k.k/NOA