Athinë, 3 Gusht NOA - Një i ri shqiptar është arratisur nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalos në Greqi por pak orë më vonë është arritur të rivihej në pranga, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Autoritetet refuzuan të publikojnë emrin e të arratisurit, por thanë se ai ishte nën hetim në gjendje paraburgimi, me akuza për një seri grabitjesh në Athinë.
Ngjarja ndodhi në orën 06.20 të ditës së sotme (e Hënë), në burgun e Koridhalosit që gjendet në periferi të kryeqytetit grek, Athinë.
Djali 25 vjeçar nga Shqipëria, arriti të manipulojë forcat policore të sigurisë dhe gardianët, duke u shtirur si i sëmurë.
Ai është dërguar në spitalin shtetëror "Erithros Stavros" për t'i vizituar dhe për t'iu dhënë ndihma e kërkuar mjekësore.
Nga ambientet e spitalit, tek reparti A i Kirurgjisë, 25-vjeçari ka arritur që edhe pse ruhej nga disa forca policore, të çante rrethimin duke fituar lirinë që në të vërtetë, zgjati vetëm disa orë.
Forca të ndërhyrjes së shpejtë, arritën të lokalizojnë të dyshuarin, i cili u kap brenda një makine në rajonin e Ambelokipon, ku po lëvizte në përpjekje për t'i shpëtuar një riprangosjeje të mundshme.
Nesër, parashikohet që i dyshuari për seria grabitjesh, të dalë edhe një herë para gjykatës, ku të vlerësohet masa e re e sigurisë, këtë radhë për arratisje nga mjediset e vuajtjes së dënimit.
n.s/NOA