Himarë, 3 gusht NOA - I shoqëruar nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, kryeministri Sali Berisha vizitoi sot disa fshatra të bregut të Jonit, ku inauguroi një sërë veprash të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme.
Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e fshatit Gjilekë i cili kap një vlerë prej 41 milionë lekësh, furnizon me ujë 460 familje për 24 orë gjatë gjithë vitit.
"Qeveria është e vendosur të garantojë furnizimin me 24 orë ujë për të gjitha familjet e bregut; është e vendosur të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, në mënyrë që të lehtësojë jetën tuaj dhe t'i bëjë ato sa më mirëpritëse për turistët që vijnë nga e gjithë bota. Qeveria është e vendosur t'ju ndihmojë juve dhe të bëjë çdo investim në mënyrë që bregu të bëhet një nga zonat më të famshme në Evropë për turizmin dhe një nga zonat më të bukura të saj, jo vetëm të Shqipërisë" premtoi Berisha para banorëve të zonës jugore.
"Nuk po i numëroj të gjitha, por ju garantoj se do të asfaltohet dhe do të sistemohet çdo rrugë e këtyre fshatrave. Në Himarë po punohet për kanalizimet, është gati projekti për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Projekte të tilla do të bëhen në çdo qendër banimi, ku është e nevojshme për të garantuar standardet më të mira evropiane të pastërtisë së ujërave të bregdetit tonë" shtoi më tej Berisha.
Kryeministri nuk ka nguruar të përshëndesë nga Himara zgjedhësit e Ballagatit, të cilët votuan kandidatin e PD-së.
Berisha nuk ka lënë pa përmendur edhe kundërshtarin e tij politik, Edi Ramën.
"Le ta lëmë Edi Ramën në banesën e humbjes, aty ku e ndrynë shqiptarët më 28 qershor. Kurse ne se bashku, lë të vazhdojmë të këndojmë këngën e fitores, duke inauguruar rrugë, ujësjellës, kanalizime, duke urbanizuar këtë zonë, sepse ky vit është sërish viti i bumit turistik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju garantoj se çdo vit, turizmi në këtë vend do të jetë në rritje" tha Berisha.
k.k/NOA