English

Pronarit të "Tymit" në Tiranë, i grabisin 40 mijë euro dhe 1 milion lekë

Tiranë, 3 gusht NOA - Persona të panjohur kanë sulmuar banesën e pronarit të lokalit "Tymi" në Tiranë, duke rrëmbyer që andej një sasi të konsiderueshme të hollash.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës, konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA se persona që ende nuk janë identifikuar, kanë hyrë në banesën e 59-vjeçarit Dilaver Reçi, në pallatin me shigjeta tek Unaza e madhe duke shpërthyer portën kryesore.

Në kasafortën që Reçi, pronar i lokalit "Tymi" te rruga e "Kavajës" kishte në shtëpi, autorët kanë gjetur dhe zhdukur, 40 mijë euro dhe një milionë lekë të rinj.

Por nga verifikimi, rezultoi se edhe disa dokumente të rëndësishme pronësie dhe sende të tjera, po ashtu ishin zhdukur nga kasaforta.

Policia tha se denoncimi erdhi nga Dilaver Reçi, 59 vjeç, pronar i "Tymit", te rruga e "Kavajës" dhe pas hetimeve në vendngjarje, rezultoi se kishin të bënin me një vjedhje me thyerje, në momentet kur në banesë nuk ka pasur njeri.

Vetë pronari i dëmtuar i parave dhe dokumenteve të grabitura, tha se ai gjendej në lokalin e tij në momentet kur mendohet të ketë ndodhur ngjarja, gjatë orëve të mesditës.

Banorë të pallatit të pyetur nga policia e Komisariati nr 2 të Tiranës, thanë se nuk kishin dëgjuar zhurma, por policia shtoi se shumë prej familjeve në atë pallat gjenden me pushime.

Policia tha se po bën përpjekje për të rënë në gjurmë të autorëve dhe shumës së vjedhur.

Ditët e fundit ka një dendësim të grabitjeve dhe vjedhjeve me thyerje në Tiranë.

Ngjarja më e fundit, ka për të dëmtuar, pronarin e "Tymit", një ndër lokalet më fitimprurëse në Tiranë, me klientelë të vazhdueshme për shkak të çmimeve të ulëta.

/e.n/k.k/NOA/

Â

KOMENTE