Shkup, 3 gusht, NOA - Faktori politik shqiptar në Maqedoni kërkon zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror. Ligji i miratuar një vit më parë për përdorimin e gjuhës shqipe, sipas të gjitha partive parlamentare dhe jo parlamentare shqiptare është i cunguar.
Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është i cunguar dhe është më se e nevojshme që nëpërmjet rregullave parlamentare të mundësohet një ligj i ri me të cilin do të mund të rregullohet përdorimi paralel i gjuhës shqipe me atë maqedonisht në mbarë territorin e Maqedonisë.
"Kjo nënkupton se ende duhet punuar në këtë drejtim. Pse e votuam ligjin e tillë? Pasi që nuk ekzistonte fare ky ligj. Pasi që i tërë opinioni ishte i bundur se nuk mund të miratohej një ligj i tillë", është shprehur Ermira Mehmeti nga rradhët e BDI-së, duke shtuar se kristalizimi i çështjes për implementimin e ligjit të gjuhëve është më se i domosdoshëm.
Lideri i PDSH, Menduh Thaçi, i ka ofruar kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve, tanimë të miratuara, me të cilat ndryshime gjuha shqipe do të trajtohej si gjuhë zyrtare edhe në ato vendbanime ku përqindja e shqiptarëve arrin deri 20 %. Nëse nuk ka disponim për këtë iniciativë, PDSH-ja paralajmëron tërheqjen e grupit parlamentar nga Parlamenti. Tabelat dygjuhëshe në Manastir dhe Gjevgjeli, si dhe në hyrjet e territorit të Maqedonisë, gjuhë shqipe në Qeveri dhe udhëheqja e mbledhjeve kuvendore në gjuhën shqipe, - janë të gjitha këto pjesë e ambicieve për përdorimin paralel të gjuhës shqipe krahas maqedonishtes në Maqedoni.
Shkrimtari Resul Shabani vë theksin se shqiptarët kudo që jetojnë pa marrë parasysh numrin e banorëve në atë rrethinë, duhet të fitojnë të drejtën që me pushtetin qëndror, organet dhe institucionet shtetërore të komunikojnë në gjuhën shqipe.
Në këtë kontekst Shabani thekson: "Gjuha shqipe duhet të përdoret në tërë territorin e Maqedonisë, por jo edhe në Vallandov, ku nuk ka shqiptarë. Por atë ta përdorin institucionet dhe ministritë". Profesori i katedrës së gjuhës maqedonisht Ludmill Spasov në fakultetin filozofik të Shkupit, paralajmëron se është i mundur „ federalizimi linguistik dhe politik i Maqedonisë. "Nëse në tërë territorin e Maqedonisë, edhe atje ku nuk ka banorë shqiptarë të përdoret gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, atëherë kjo nuk mund të ketë arsye poltike, por lë të nënkuptohet si federalizim linguistik të shtetit".
NOA-INA