Durrës, 3 gusht, NOA - Eshtë paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, 49-vjeçari Bukurosh Koçi, 1960 banues në Tiranë dhe ka bërë kallëzim penal pasi ka konstatuar se në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, i është vjedhur autovetura në pronësi të tij tip "Mercedes - Benz" G -300 -Foristrade me targa BZ 1494 A.
Ai e kishte parkuar atë poshtë pallatit ku gjendet me banim të përkohshëm tani për sezonin veror.
Ndërkaq, burimet policore bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA se edhe një person tjetër ka denoncuar tentativën për vjedhjen e automjetit të tij.
Ai është Mehmet Kurti, banues në Tiranë, me profesion avokat dhe ka bërë kallëzim penal për arsye se persona të paidentifikuar kishin tentuar t'i vidhnin makinën mercedez benz 250 me targë TR-6633-L të cilin e kishte parkuar para banesës së tij në Plazh të Durrësit.
Por autorët pasi kanë hapur mjetin duke tentuar ta ndezin atë, kanë prishur çelësin e kuadrit dhe nuk kanë mundur të kryenin vjedhjen e tij, por kanë marrë një çantë të punës me dokumenta të ndryshme e cila ndodhej në automjet.
Policia po punon për identifikimin e autorëve të këtyre ngjarjeve, ndërsa materialet proceduriale i kaluan prokurorisë për veprën penale të "Vjedhjes", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
n.e/NOA