Melburn, 4 gusht, NOA - Katër persona janë arrestuar nga policia e Melburnit pasi ndaj tyre ekzistonin dyshime se po planifikonin të kryenin sulme vetëvrasëse në një bazë ushtarake.
Personat në fjalë, që besohet se janë me origjinë somaleze dhe libaneze, u ndaluan kur qindra oficerë kryen bastisje në orët e para të mëngjesit mbi një numër shtëpish, arrestime këto pasojë e rezultatit të një hetimi shtatëmujor.
Mediat vendase kanë raportuar se agjencitë e sigurisë kombëtare kishin zbuluar një komplot të dyshuar islamik për të kryer një sulm vetëvrarës mbi një bazë të ushtrisë australiane.
Ky ishte një operacion anti-terror i përmasave të mëdha, gjatë të cilit 400 oficerë policie, zbatuan 19 urdhëra që mundësojnë bastisje nëpër disa banesa në Melburn.
Besohet se bastisjet kishin në shënjestër një celulë të dyshuar terroriste dhe që përbëhej nga shtetas australianë me orgjinë somaleze dhe libaneze.