Tiranë, 4 gusht NOA - Tetë raste të konfirmuara dhe 11 të dyshuara, ky është bilanci i virusit të gripit të derrave deri më tani në Shqipëri.
Të dhënat janë bërë publike nga autoritetet Shëndetësore, të cilat shtuan se priten rezultatet e analizave të 11 rasteve të dyshuara me virusin A/H1N1, në vend.
Mësohet se 2 raste dyshohen nga Vlora, një nga Saranda dhe 8 në Tiranë, ndërsa rastet e konfirmuara janë 7 nga Tirana dhe një Lushnja.
Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të prekurit nuk paraqiten rëndë nga ana shëndetësore, dhe deri më tani asnjë nuk rrezikon të vdesë.
Deri më tani gripi i derrave nuk ka ardhur me vdekje në Shqipëri por frika ë përhapjes në masë dhe përkeqësimit të gjendjes ka detyruar mjekët të lajmërojnë qytetarët që të paraqiten te mjeku i familjes fill pas konstatimit të simptomave të para.
k.k/NOA