Tiranë, 4 gusht NOA - Partia Demokristiane ka lëshuar sot një deklaratë me anë të së cilës ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Komunës së Kastratit për shpalljen "Qytetar Nderi" të Komunës Kastrat të të ndjerit Aleks Keka, ish-kryetar i Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe.
"Këshilli i Komunës së Malësisë së Madhe ka vlerësuar figurën e ish-kryetarit të PDK-së Aleks Keka, si një ndër qytetarët e respektuar të zonës dhe ka dënuar shpifjet e Policisë së Shtetit, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes tragjike që i mori jetën ish-kryetarit të PDK-së dhe vënien para drejtësisë së autorëve të krimit.
PDK falënderon Kryetarin dhe Këshillin e Komunës Kastrat për qëndrimin qytetar që mbajtën ndaj të ndjerit dhe shpreh respektin dhe konsideratën më të lartë për të gjithë anëtarët e këshillit të Komunës'" thuhej në deklaratën e PDK-së.
"Partia Demokristiane edhe njëherë u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të drejtësisë në vend të zbardhin krimin e rëndë që i mori jetën ish-kryetarit të PDK-së, Aleks Keka dhe të venë para drejtësisë autorët e këtij krimi të shëmtuar" thuhej më tej në deklaratën e lëshuar nga Partia Demokristiane.
k.k/NOA