English

Shtohet së tepërmi numri i vetëvrasjeve të popullatës, kryeson Peja

Prishtinë, 4 gusht, NOA - Rritet numri i vetëvrasjeve në Kosovë. Këtë e tregojnë të dhënat statistikore të raportit gjashtëmujor të Policisë së Kosovës për gjysmën e parë të vitit 2009, të cilat tregojnë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2008 ka një shtim të numrit të vetëvrasjeve.

Sipas këtij krahasimi, nëse gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë shënuar diku rreth 37 raste të vetëvrasjeve, në periudhën e ngjashme të vitit paraprak kanë qenë 32 raste të shënuara të tyre.

Por të dhënat hedhin dritë edhe mbi rajonet më të rrezikuara nga shtimi i kësaj dukurie, duke pohuar se në rajonin e Pejës shënohen edhe vetëvrasjet më të shumta, ndërsa në vitin paraprak në periudhën e njëjtë kohore, rajoni i Mitrovicës ka qenë ai i cili ka prirë me numrin më të madh të rasteve të vetëvrasjeve.

Psikiatri Ferid Agani tha për mediat kosovare, lidhur me një fakt të tillë se femrat janë ato që bëjnë tentim vetëvrasje tri deri në katër herë më shumë sesa meshkujt.

Duke thënë se motivet e vetëvrasjes janë të ndryshme, meqë shkaqet janë mjaft komplekse, psikiatri Agani vë në spikamë se disa nga shkaktarët, që çojnë deri te kryerja e kësaj vepre janë shkalla e lartë e papunësisë, paperspektiva, ndjenja se jeta në njëfarë mënyre nuk ka kuptim, veçanërisht në mesin e të rinjve.

n.e/NOA

KOMENTE