Shkodër, 4 gusht NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zgjedhur inaugurimin një shkolle në fshatin Kosmac për të shprehur një urim për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ajo ka shprehur besimin se bashkëpunimi në Parlament për çështjet e mëdha dhe proceset integruese do të forcohet në interes të kombit.
"Shfrytëzoj këtë rast për t'i bërë urimet më të mira të gjithë deputetëve të zgjedhur dhe atyre që më 7 shtator do të ulen për herë të parë në parlament- u shpreh sot në mesditë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në ceremoninë e fillimit të punimeve të një shkolle 9-vjeçare në fshatin Kosmac. "Nuk ka vend më të nderuar, privilegj më të madh sesa të jesh përfaqësues i një kombi dhe të jesh një ndër 140 deputetët e Kuvendit, për të qenë sa më afër vullnetit të asaj që mendojmë, të asaj që dëshirojnë, kërkojnë dhe mendojnë votuesit tuaj. 96% e shqiptarëve kanë votuar pro orientimit drejt BE dhe proceseve integruese. Kjo do të thotë që ne për kalimin e ligjeve integruese, pa dyshim, do të bashkëpunojmë me opozitën dhe ajo do të bashkëpunojë me ne. Sepse unë besoj që ajo ndjehet përfaqësuese e atyre votave që vijnë nga e majta, që janë një numër i caktuar dhe kanë shprehjen e tyre të vullnetit për proceset integruese" shtoi më tej Topalli.
Kryeparlamenatrja deklaroi se e sheh me optimizëm parlamentin e ardhshëm dhe në mënyrë të veçantë qeverisjen e ardhshme e cila e parashikon si shumë efiçente, efikase dhe funksionale. "Më parë më pyetën çfarë mendon për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën që thotë se herë i njoh dhe herë nuk i njoh zgjedhjet. Shqiptarët bënë kësaj radhe zgjedhjet më të mira. Rezultati i Ballagatit i cili të kujton Kasharin ku PS-ja u radhit në vendin e katërt është leksioni më i mirë që i jepet kujtdo që tenton të zgjidhë problemet e tij personale e politike duke cënuar vullnetin e shqiptarëve. Historia e këtyre viteve të fundit është historia e sfidave të jashtëzakonshme, por kësaj radhe ne i fituam të gjitha sfidat. Kemi fituar sfidën e standardeve, kemi fituar sfidën e zgjedhjeve, kemi fituar sfidën e anëtarësimit në NATO, që është meritë e jashtëzakonshme e shqiptarëve' shtoi më tej Topalli.
k.k/NOA