English

Zgjedhjet lokale të Kosovës, a do mbahen në Mitrovicë? Serbët: S'ka kushte

Prishtinë, 4 gusht, NOA - Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të KQZ-së nuk e dinë ende nëse zgjedhjet lokale do të mbahen dhe në veri të Mitrovicës. Nga KQZ-ja konfirmohet se janë emëruar tre zyrtarë ekzekutivë të komisioneve komunale për zgjedhje në tri komuna në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke u bërë përpjekje maksimale që zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen më 15 nëntor të këtij viti, të mbahen dhe në veri të Kosovës. Kryetarja e KQZ, Nesrin Lushta, tha se deri më tani janë emëruar tre zyrtarë ekzekutivë të komisioneve komunale për zgjedhje në tri komuna në veri të Kosovës. "Organizimi i zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës po shkon mirë, për arsye se për tri komuna në veri, që janë Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviçi, kemi caktuar zyrtarët ekzekutivë të komisioneve komunale të zgjedhjeve dhe ata janë duke e bërë punë e tyre". "Ata kanë për detyrë t'i ftojnë partitë politike që t'i emërojnë përfaqësuesit e vet, në mënyrë që të themelohen komisionet komunale të zgjedhjeve në këtë pjesë dhe më tutje të vazhdohet me punë", tha Lushta. Ndërsa, sa i takon organizimit të zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, Lushta thotë se me Planin e Ahtisarit është paraparë krijimi i komunës në veri, por, deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo, sipas saj, paraqet problem. "Sa i takon konkretisht Mitrovicës veriore, me Planin e Ahtisarit kjo është një komunë e veçantë. Domethënë, Mitrovica duhet t'i ketë dy komuna, një në pjesën veriore dhe një në pjesën jugore. Mirëpo, kjo nuk është kompetencë e KQZ-së. Në momentin kur këto komuna të formohen, atëherë edhe ne do t'i caktojmë zyrtarët tonë", deklaroi zonja Lushta. Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se ende nuk dihet nëse do të ketë zgjedhje lokale në veri të Mitrovicës. Sipas tij, janë duke u bërë disa analiza, për të vendosur për mbajtjen ose jo të tyre në këtë pjesë të vendit. "Akoma nuk kemi vendim se në sa komuna do të organizohen zgjedhjet. Jemi duke bërë një analizë dhe unë besoj që sot për sot e kam herët të shpreh ndonjë qëndrim, vendim. Pra, do të presim dhe do të kemi vendim se në sa komuna do të organizohen zgjedhjet lokale në Kosovë", tha ministri Ferati. Në 10 vjetët e fundit, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ka qenë gjithnjë problematike. Beogradi zyrtar ka thënë se nuk ka kushte që serbët të marrin pjesë në to. Nebojsha Joviç, nga Këshilli Nacional Serb në Mitrovicë, nuk ka dashur të komentojë fare çështjen e organizimit të zgjedhjeve vendore në veri, duke rikujtuar se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Megjithatë, ai tha se komuniteti serb në këtë pjesë të Kosovës nuk do t'i pengojë ata që do të marrin pjesë. "Unë me përgjegjësi mund të them se në Mitrovicë dhe në veriun e Kosovës, e posaçërisht në jug të Ibrit, askush nuk do të pengohet që të marrë pjesë në zgjedhje, pasi që konsiderojmë se çdonjëri ka të drejtë që personalisht të sjellë dhe të marrë vendimin e vet. Unë nuk do të pajtohesha me asnjërin që merr pjesë në zgjedhje, por, po përsëris, çdo njeri ka të drejtë që personalisht të sjellë një vendim të tillë", tha Joviç. Ai konsideron se serbët e kanë kuptuar dhe e dinë se çka është në favor të tyre, andaj sipas tij, do të ishte maksimalisht e dëmshme që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Aktualisht, sipas zyrtarëve të KQZ-së në Kosovë, zgjedhjet do të mbahen në 33 komuna, të cilat janë duke funksionuar. Analistët politikë kanë thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Mitrovicës, qeveria së pari duhet të shtrijë autoritetin e saj, të formojë komunën në atë pjesë të qytetit dhe më pas edhe të ketë mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

NOA-INA

KOMENTE