English

Guvernatori i Bankës Qendrore: Tregu bankar në Kosovë, i qëndrueshëm

Prishtinë, 5 gusht, NOA - Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe pa pasoja të drejtpërdrejta nga kriza globale financiare.

Lajmi është bërë i ditur nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, sipas të cilit sektori bankar kosovar ka arritur të mbrohet nga goditja e drejtpërdrejtë për shkak të mosekspozimit të tij të madh në tregjet bankare ndërkombëtare.

Pak a shumë, i njëjti fenomen që ndodh edhe në Shqipëri, ku edhe sistemi i saj bankar ka shpëtuar nga prekja e krizës, pikërisht falë kësaj distance që ka ndaj tregjeve të huaja bankare.

"Ekspozimi i tregut bankar të Kosovës në tregjet bankare ka qenë shumë i limituar dhe kryesisht burimet e financimit i ka të brendshme, prandaj është një garë e shtuar në tregun bankar sa i përket tërheqjes së depozitarëve dhe njëkohësisht është duke vazhduar rritja e depozitave, është duke vazhduar rritja e kreditimit", ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, lidhur me një fakt të tillë, duke vënë në dukje konkretisht se të dhënat më të reja nga bankat në Kosovë tregojnë për rritje të depozitave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithsesi, ai thotë se kreditimi i ekonomisë dhe i qytetarëve është duke vazhduar me një ritëm gati të njëjtë si më parë, megjithatë, por e pranon se bankat tani janë shumë më të kujdesshme me rastin e lejimit të kredive. Â

n.e/NOA

KOMENTE