Tiranë, 5 gusht, NOA - I dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbërrin sot në Shqipëri për të hetuar mbi akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj kanë trafikuar organet e tyre.
Pas një vizite të iniciuar në Beograd, sot Marty mbërrin në Shqipëri për të vijuar me rrugën e hetimeve për të mësuar njëherë e mirë të vërtetën e kësaj historie, e cila doli në dritë nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte.
Senatori zviceran, Dick Marty pritet të vijë në Shqipëri për të hetuar pohimet sipas të cilave veprimet e tilla janë kryer në një shtëpi në Burrel dhe bëhet e ditur se në fund të vizitës së tij faktmbledhëse, i dërguari i Këshillit të Evropës pritet të lëshojë edhe një raport përkatës.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, autoritetet serbë i kanë thënë senatorit Marty se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, ndërsa dyshojnë për një numër më të madh të tyre. Kurse Prishtina i mohon kategorikisht akuzat e tilla. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se këto janë përpjekje për të dëmtuar luftën e ish-Ushtrisë Çlirimtare, të imazhit të shtetit të ri, por edhe siç thotë ai, përpjekje për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit i cili është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë. "Ajo që dua të them është se populli i Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka bërë luftë të drejtë. Ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë në çdo rast edhe me Tribunalin e Hagës edhe me drejtësinë vendore e ndërkombëtare dhe është vërtetuar shpeshherë se spekulimet e tilla, kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë. Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me mekanizmat ndërkombëtarë, por gjithmonë të kujdesshëm që spekulimet e tilla të mos e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe që spekulimet e tilla të përfundojnë si spekulime", tha ai.
n.e/NOA