Tiranë, 5 gusht NOA - Qeveria miratoi sot vendimin për krijimin e zonës së lirë në Vlorë.
Kryeministri Berisha tha se zona e lirë do të funksionojë si një komponent i integruar me portin e ri, ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe, që do të ndërtohet në Vlorë.
"Në qytetin e Vlorës, krahas parkut industrial që është miratuar me iniciativën e komunitetit të biznesit të Vlorës dhe autoriteteve vendore, do të krijohet edhe një zonë e lirë, e lidhur kjo me portin e ri që do të ndërtohet në Vlorë. Kushdo që të jetë fituesi i të drejtës për të menaxhuar e zhvilluar zonën e lirë, ai do të jetë i detyruar të funksionojë si një komponent i integruar me portin. Tenderi do të fitohet nga ai që do të paraqesë projektin më të mirë për zonën e lirë të Vlorës. Është e rëndësishme që të procedohet me negocimin e kontratës për portin dhe më pas, negocimin e kontratës me fituesin e zonës së lirë" deklaroi Berisha.
Duke e konsideruar portin e Vlorës projektin infrastrukturor më madhor në Shqipëri, Kryeministri Berisha tha se ky projekt gjigant parashikon rreth 2 miliard euro investime dhe ndërtimin e një prej porteve më të mëdha në Mesdhe. Vlora, tha Kryeministri, ka shumë avantazhe hidrogjeografike dhe porti i rikthen Vlorës dhe Shqipërisë një ëndërr, pasi ai aty ka qenë që shekullin e shkuar dhe rikthehet sërish aty, ku janë ujërat, kanali natyror dhe të gjitha avantazhet për anijet më të mëdha.
Këshilli i Ministrave miratoi sot edhe vendimin për lejimin e kryerjes së procedurave të prokurimit, për shërbimin e konsulencës, për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të kryejë procedurat e prokurimit "tender i hapur ndërkombëtar" me objekt shërbim konsulence për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë.
Po sot, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për dhënien në përdorim Qendrës Kombëtare të Aplikimeve për Energjinë të disa mjediseve në ndërtesën e ish INIMA-s. Duke marrë shkas nga ky vendim, Kryeministri Berisha kërkoi që në vijim të praktikave të suksesshme të ngritjes së shërbimit me një sportel ("one stop shop") për regjistrimin e bizneseve dhe atë për licencat, të punohet për ngritjen së shpejti edhe të "one stop shop" për energjinë.
k.k/NOA