Tiranë, 5 gusht, NOA - Sipërmarrësi i njohur shqiptar, Rezart Taçi, duket se është Â tërhequr përfundimisht nga vendimi i lançuar pak ditë më parë për blerjen e 80 përqind të aksioneve të klubit italian të futbollit në serinë A, Bolonja.
Kjo është përgjigjia që i ka dhënë në distancë biznesmeni shqiptar familjes Menarini.
"Mund të konfirmoj se nuk bëmë efektive marrëveshjen e arritur para pak ditësh. Por detajet nuk mund t'i bëj publike tani", ka deklaruar Taçi për mediat lidhur me një fakt të tillë.
Lajmi për këtë blerje të fuqishme, e cila do të ishte në fakt edhe e para nga ana e një shqiptari në kuadrin e kampionatit italian të futbollit, u përhap me shumë entuziazëm në të dyja vendet, kjo edhe pasi vetë Taçi pak ditë më parë ka pasur një takim edhe me kryeministrin italian, njëkohësisht presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni.
Ndërkaq, janë të shumta aludimet që bëhen për tërheqjen e Taçit nga oferta që kishte bërë për Bolonjën.
Gjithsesi, ai ka mbetur me rrugën e hapur drejt kampionatit italian, duke u shprehur se
vazhdon të mbetet i interesuar për futbollin dhe tregun energjitik italian.
"Qeveria italiane i ka hapur rrugë projekteve tona energjitike. Shpresoj ta arrij që këtë sezon të jem i pranishëm në Serie A", ka shtuar Taçi.
n.e/NOA
Â